Para

Rusia do të legalizojë kriptomonedhat ‘herët a vonë’

Rusia herët a vonë do të legalizojë kriptomonedhat si një mjet pagese, tha Ministri i Industrisë dhe Tregtisë Denis Manturov, duke sugjeruar se qeveria dhe Banka Qendrore mund të jenë më pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre.

Pak përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt, ministria e Financave paraqiti propozime legjislative që ishin në kundërshtim me kërkesën e Bankës Qendrore për një ndalim të plotë.

Manturov u pyet në një forum nëse ai besonte se kriptomonedhat do të bëheshin të ligjshme si një mjet pagese.

“Pyetja është se kur të ndodhë kjo, si do të rregullohet, tani që Banka Qendrore dhe qeveria po punojnë për të”, – u përgjigj ai.

“Por të gjithë priren të kuptojnë se herët a vonë kjo do të zbatohet, në një formë apo tjetër”.

Rusia ka plane të emetojë rublën e saj digjitale, por qeveria vetëm kohët e fundit ka arritur të mbështesë përdorimin e kriptomonedhave private, duke argumentuar për vite me radhë se ato mund të përdoren për pastrim parash ose për financimin e terrorizmit.

Megjithatë, Guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina ka thënë se banka nuk mund të mirëpresë investimet në kriptomonedha, të cilat përbëjnë rreth 5 miliardë dollarë (4.76 miliardë euro) transaksione në vit nga rusët, dhe ka propozuar ndalimin e tregtimit dhe nxjerrjes së tyre.

Duke përmendur rreziqet për stabilitetin financiar nga rritja e numrit të transaksioneve kripto, zyrtarë të tjerë të bankës qendrore thanë vitin e kaluar se nuk shihnin hapësirë ​​që kriptomonedha të përdoret në tregun financiar rus.

Manturov tha se rregulloret për përdorimin e kriptomonedhave në radhë të parë do të formulohen nga Banka Qendrore dhe më pas nga qeveria./Euronews


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë