Ne rrjet

Rusia do të bllokojë sërish hyrjen e Kosovës në Interpol

Pas dërgimit të dhjetëra pajisjeve ushtarake në Serbi, Rusia është zotuar se do të vazhdojë të lobojë kundër hyrjes së Kosovës në Interpol.

Moska ka bërë të ditur disa ditë më parë se do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në parandalimin e jo vetëm të hyrjes së Kosovës në Interpol, por anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Lajmi u bë i ditur se Aleksandar Botsan-Harchenko, Ambasadori Rus në Serbi gjatë një takimi me ministrin e brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç.

Rusia dhe Serbia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e sigurisë dhe atë të shërbimit të brendshëm dhe të jashtëm. Bashkëpunimi i Moskës dhe Beogradit i kushtoi vitin e kaluar Kosovës hyrjen në Interpol, duke shkaktuar edhe vendosjen e taksës 100 % ndaj mallrave serbe.

Por Rusia dhe Serbia duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga këto përpjekje, duke shtuar edhe më shumë tensionet mes dy vendeve.

Botsan-Harchenko u shpreh se Moska ishte e përgatitur të bllokonte çdo përpjekje të Kosovës për t’u bashkuar me Interpolin, deklarata që u priten me entuziazëm nga zyrtarët serbë. Këto deklarata vijnë vetëm pak ditë pasi Moska pajisi Serbinë me dhjetë makineri ushtarake, duke shkelur kështu edhe sanksionet e Bashkimit Europian.

Për Zëvendës Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës dhe Koordinatori Kombëtar për Integrimin dhe Pranimin në NATO, Burim Ramadani, Rusia është duke dërguar mesazhe mjaft kërcënuese për rajonin.

Në një intervistë, ai thotë se ndikimet e huaja, veçanërisht ndikimi rus është shndërruar në një shqetësim të vërtetë për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Burim Ramadani, Gazeta Si, 5 gusht 2019

“Objektivat e Rusisë janë të qarta për sa i përket krijimit të një situate të paqëndrueshme, duke ndërhyrë në procesin demokratik dhe largimit të Ballkanit nga proceset euro-atlantike. Sidoqoftë, është e qartë se Kosova po lufton vazhdimisht ndikimin rus. Ndikimi rus është përhapur kryesisht nëpër Serbi, një vend në të cilin Rusia ka ngritur bazën e saj ideologjike, ushtarake dhe diplomatike. Serbia po dërgon mesazhe kërcënuese për të gjithë rajonin e Ballkanit. Ajo që kemi parë në vitet e fundit është një ofensivë diplomatike ndërkohë që Serbia ka filluar të furnizohet me pajisje ruse. Kjo do të thotë që Serbia po kërkon vetëm të bashkëveprojë me Rusinë për sa i përket ushtrisë. Regjimi autokratik i Serbisë ka vendosur të mos bashkëpunojë me vendet e rajonit, sepse bashkëpunimi lidhet drejtpërdrejt me standardin e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit. Sigurisht, ky është një shqetësim i madh për të gjithë rajonin e Ballkanit. E vetmja gjë që garanton paqen dhe sigurinë në Ballkan është modernizimi i vendeve të Ballkanit, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit janë orientuar drejt NATO-s, Serbia është i vetmi vend që ka marrë drejtim të kundërt dhe ky është diçka serioze për të gjithë Ballkanin. Rusët janë shumë agresive. Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, kanë gati 3,000 agjentë në baza ‘humanitare’ në Serbi, shumica e të cilëve janë anëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë”, shprehet Ramadani.

Përse nuk u pranua Kosova në Interpol?

Vitin e kaluar, kërkesa e Kosovës për anëtarësimin në Interpol u hodh poshtë për të tretën herë, duke shkaktuar mllef e zhgënjim në Prishtinë por gëzim dhe çlirim në Beograd.
E përkrahur nga Rusia, Serbia ka lobuar fuqishëm kundër hyrjes së Kosovës në Interpol, duke shënuar një pengesë të konsiderueshme për Kosovën, e cila shpreson të bëhej pjesë e Interpolit për të bërë të mundur arrestimin e kriminelëve serbë të luftës. Autoritetet e Prishtinës janë duke kërkuar arrestimin e 57 shtetasve serbë, të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit të viteve ’90, por pa anëtarësimin në Interpol, këto urdhra nuk mund të ekzekutohen jashtë kufijve të Kosovës.

Presidenti Vucic dhe presidenti Hashim Thaci, Gazeta Si, 5 gusht 2019

Kosova ka aplikuar dy herë për anëtarësim në Interpol, në vitin 2015 dhe vitin 2016, ndërsa vitin e kaluar ka tërhequr aplikimin pak përpara takimit të përgjithshëm të asamblesë në Kinë, pasi kjo e fundit ka kundërshtuar njohjes e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Kërkesa e Kosovës për t’u bashkuar me Interpolin ka shkaktuar frikë në Serbi, për shkak se Prishtina mund të lëshojë urdhra ndërkombëtare për anëtarët e forcave të saj të sigurisë që morën pjesë në luftën e Kosovës në 1999. Megjithatë, analistët thonë se ndjekja penale e kriminelëve të luftës varet nga vullneti politik në Serbinë.

“Edhe nëse Kosova bashkohet me Interpolin, kjo nuk do të thotë që Serbia duhet të ekstradojë njerëzit e kërkuar nga Interpoli. Secili shtet anëtar vendos se çfarë do të bëjë me urdhëresat e lëshuara nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit “, tha Sasha Djordjevic kryetar i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Gjorgjeviç tha se nuk ka sanksione për mos ekstradimin e njerëzve të kërkuar në kodin e kuq të Interpolit. Ai shtoi se kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në Interpol po “politizohej” dhe se Serbia po lobonte fuqishëm kundër kësaj kërkese. Ndërkohë, zvkryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha para mbledhjes së Asamblesë në Dubai se edhe Prishtina po kërkonte mbështetje për të siguruar anëtarësimin në Interpol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë