Ne rrjet

Rusia dhe SHBA tërhiqen nga traktati 32-vjeçar për raketat bërthamore

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht nga Pakti Bërthamore me Rusinë të premten, duke deklaruar se Kremlini kishte shkelur traktatin dhe nuk kishte plan t’i rikthehej zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Zyrtarët amerikanë njoftuan gjithashtu planet për të testuar një raketë të re, e cila do të ishte e ndaluar nën kushtet e marrëveshjes së nënshkruar dekada më parë.

"Rusia është përgjegjësja e vetme për prishjen e traktatit," tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. "Shtetet e Bashkuara nuk do të mbeten palë e një traktati që është shkelur qëllimisht nga Rusia" shtoi ai.

I nënshkruar në vitin 1987 nga Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi Sovjetik Mikhail Gorbachev, marrëveshja ndalon vendosjen e raketa me bazë tokësore me një largësi prej 500-5.500 kilometra nga kufijtë amerikanë ose ruse. Arritja e kësaj marrëveshjeje pengoi aftësinë e SHBA-së për të goditur Rusinë nga Evropa Perëndimore dhe anasjelltas. Në shkurt, Shtetet e Bashkuara njoftuan zyrtarisht se do të tërhiqeshin nga pakti pasi akuzuan Rusinë për zhvillimin e armëve që shkelnin kushtet e traktatit. Zyrtarët rusë u përgjigjën duke thënë se edhe ata do të tërhiqeshin gjithashtu.

NATO u bashkua me SHBA-në duke fajësuar Rusisë për shkatërrimin e traktatit. Në një deklaratë të lëshuar të Premten, aleanca njoftoi se anëtarët do të përgjigjet "në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme".

Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi Sovjetik Mikhail Gorbachev

Zyrtarët amerikanë thonë se traktati u prish për shkak të prodhimit të raketës së avancuar “Novator 9M729” nga ushtria ruse, edhe pse vetë Kremlini, ia vuri fajin amerikanëve. "Më 2 gusht 2019, me iniciativën e palës amerikane, marrëveshja midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së për eleminimin e raketave me rreze të mesme dhe më të shkurtër u ndërpre", njoftoi Ministria e Jashtme.

Zyrtarët rus gjithashtu u bënë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj që të mos shkelin mënjeherë të gjitha rregullat e marrëveshjes. "Ne u kemi sugjeruar SHBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s që të marrin në konsideratë shpalljen e një moratoriumi për vendosjen e raketave me rreze të ndërmjetme," tha Zëvendës Ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov për agjensinë shtetërore të lajmeve TASS.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump sinjalizoi gjithashtu se nuk e kishte konsideruar ende marrjen e masave të reja diplomatike për të parandaluar konfliktin bërthamor.

"Ne do të shohim se çfarë ndodh", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten, disa orë para se të zyrtarizohej dalja nga marrëveshja.

Vitin e kaluar amerikanët thanë se kishin prova se raketat e reja ruse ishin të ndaluara nga traktati.

Në shkurt, Presidenti Donald Trump vendosi 2 gushtin si afat që SHBA-të do të tërhiqeshin nga pakti nëse Rusia nuk ndalonte shkeljet.

Presidenti Donal Trump dhe Vladimir Putin

Cilat janë rreziqet?

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg tha se aleanca transatlantike "do të përgjigjej në një mënyrë të matur dhe të përgjegjshme ndaj rreziqeve të rëndësishme të paraqitura nga raketa ruse për sigurinë e vendeve anëtare”.

Ai shtoi se NATO nuk dëshiron një garë të re armësh bërthamore në Europë, duke konfirmuar kështu për shumë ekspertë se aleanca nuk është dakort për vendosjen e raketave bërthamore në Evropë.

Muajin e kaluar, ai tha se raketat ruse ishin shumë të vështira për tu zbuluar dhe se mund të arrinin në qytetet europiane brenda disa minutash.

"Kjo është serioze," shtoi ai. "Traktati i vitit 1987 ka qenë një gur themeli në kontrollin e armëve bërthamorë për dekada dhe tani ne po shohim prishjen e kërtij traktati".

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar po ashtu se bota "po humbte një mjet për kontrollin e luftës bërthamore".

"Kjo ka të ngjarë të rrisë, dhe jo të zvogëlojë, kërcënimin e paraqitur nga raketa balistike," shtoi ai, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të gjejnë një rrugë të re të përbashkët për kontrollin ndërkombëtar të armëve bërthamore.

Gati gjashtë dekada pas krizës së raketave në Kubë, SHBA-ja dhe Rusia duket se janë tanimë përballë një përplasje të ngjashme, e cila mund ta çojë sërish botën në prag të luftës.

Kriza e raketave të Kubës shpërtheu në vitin 1962 kur Moska iu përgjigj vendosjes së raketave të SHBA –së në Turqi duke dërguar raketa balistike në ishull, një përplasje që e solli botën në prag të luftës bërthamore.

Vetë presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron një garë të re armësh bërthamore, por se nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të veprojë nëse Uashingtoni do të vendosë raketa të reja në Evropë, disa prej të cilave ai thotë se mund të godasin Moskën brenda 10 minutave.

Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk kanë raketa bërthamore në Evropë, por mund të marrin vendimin për t’i vendosur sërish nëse traktati i armëve bërthamore merr fund.
Putin ka deklaruar se reagimi i tij për një veprim të tillë do të nënkuptonte se Rusia mund të godiste Shtetet e Bashkuara më shpejt sesa raketat amerikane në Europë mund të binin mbi Moskë, sepse koha e fluturimit do të ishte më e shkurtër.

“Gjërat nuk do të ishin në favor të tyre. Kjo është e sigurt “, thotë presidenti rus Putin.
“Duhet të zgjidhim konfrontimet përpara se të arrijmë në nivelet e krizës së raketave kubane në vitet 1960” tha Putin. “Por nëse dikush dëshiron të arrijmë deri këtu është i mirëpritur”, paralajmëroi presidenti rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë