Ne rrjet

Rusia dhe Kina bëjnë manovrat ushtarake më të mëdha në histori

Ndërkohë që Perëndimi është shumë i zënë me sfidat politike ndaj Donald Trump, Brexit dhe një mori krizash të tjera, Rusia po mban stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë e saj. Por kësaj radhe , “lojërat e luftës” do të përfshijnë edhe “armikun” më të madh tregtar të Amerikës, Kinën komuniste. Manovrat ushtarake "Vostok-18" kanë vërtetuar për shumicën e ekspertëve perëndimorë se Rusia e sheh veten në një "Luftë të Re të Ftohtë". Ministri i jashtëm kinez dhe homologu i tij rus deklaruan se manovrat do të përfshijnë më shumë se një mijë avionë, pothuajse treqind mijë ushtarë dhe pothuajse të gjitha mjetet ushtarake ruse në rajonet ushtarake Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe flotat e Veriut dhe Paqësorit

Vetëm gjashtë muaj pas stërvitjeve më të mëdha të ushtrisë kineze në det të hapur, lojërat e përbashkëta të luftës ka ngritur alarmin se dy shtetet më të fuqishme autoritare në botë janë bashkuar kundër Perëndimit. Edhe pse po sfidojnë Shtetet e Bashkuara apo aleatët e saj, si Pekini ashtu dhe Moska duan në radhe të parë që të dominojnë në “lagjet” e tyre dhe të frikësojnë vendet më pak të fuqishme rreth tyre. Sipas “Reuters”, Moska dhe Pekini kanë gjithashtu një mesazh të qartë për Pentagonin: nëse shpërthen lufta në Europën Lindore ose Detin e Kinës Jugore, Shtetet e Bashkuara do të rrezikonin humbje serioze në qoftë se do të ndërhynin.

Këto stërvitje ushtarake janë pjesë e një tabloje më të gjerë investimesh dhe dështimesh. Sipas njoftimeve, forcat ruse janë ende në kërkim të një raketë ra diku në Arktik, vitin e kaluar. Ndërkohë, Kina njoftohet se është përballur me rrëzimin e dhjetëra avionëve ushtarakë gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore. Por manovrat tregojnë se sa shumë janë të gatshme të rrezikojnë Moska dhe Pekini për pushtet ushtarak, ndoshta shumë më tepër se Shtetet e Bashkuara ose ndonjë aleat europian dhe aziatik. Ato vijnë mes përplasjeve tregtare mes Kinës dhe SHBA-së, kërcënimin e Trump që Rusia të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm në Siri dhe mes një sërë problemesh të brendshme.

Për Rusinë manovrat janë një përsëritje e konflikteve ushtarake të vitit 2008 dhe 2014, kohë në të cilën shpresonte se Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore nuk do të ndërhynin. Ndërkohë, lufta më e madhe e Kinës është ajo për territoret e kontestuara në Detin e Kinës Jugore dhe ajo me Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron ende provincë të tijën. Ushtarët dhe avionët amerikanë kanë vazhduar të kontrollojnë në mënyrë agresive zonat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore, edhe pse Pekini ka rritur në mënyrë dramatike praninë e tij ushtarake në zonë. Sikur mos të mjaftonte kjo, negociatat e SHBA-së me Korenë e Veriut kanë marrë një kthesë të papritur gjatë javëve të fundit, ndërkohë që Kim Jong-un duket se është afruar gjithnjë e më shumë me diktatorin kinez Xi Jinping.

Pjesa më e madhe e teknologjisë së re së Moskës dhe Pekinit duket se po zhvillohet për t’ia kaluar ushtrisë amerikane, sidomos raketat dhe nëndetëset e Kinës, të ndërtuara në mënyrë eksplicite për mbytjen e aeroplanmbajtësve amerikanë. Por edhe blerja e mjeteve të reja ushtarake dhe vendosjet e batalioneve janë gjithashtu pjesë e një strategjie shumë më të gjerë diplomatike dhe propagandistike. Rusia ka vepruar me zemërim kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës, sidomos pas anëtarësimit të tyre në NATO. Ndërkohë Kina ka nisur një fushatë të egër diplomatike këtë vit për të izoluar më tej Tajvanin, duke inkurajuar kompanitë ajrore dhe qeveritë e huaja ta shohin provincën si pjesë të Kinës kontinentale. Përgjigjja e Shteteve të Bashkuara ka qenë izolimi ekonomik. Por pasojat e kësaj stërvitje të madhe ushtarake janë më të mëdha në Europë, veçanërisht në vendet që janë më të ndjeshme ndaj Rusisë, si shtetet baltike, Norvegjia dhe Polonia.

Burimet: "Reuters", "National Interest", "Japan Times"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë