Bota

Rusia dënon me 16 vjet burg për spiunazh gazetarin amerikan Evan Gershkovich

Gazeta Si – Gjykata në Yekaterinburg të Rusisë dënoi gazetarin amerikan të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, me 16 vjet burg për spiunazh, për t’u vuajtur në një koloni të burgjeve të sigurisë së lartë.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve ruse Interfax. Mëngjesin e sotëm, prokurori rus kishte kërkuar dënim me 18 vjet.

Gjyqi me dyer të mbyllura përfundoi në kohë rekord, ndërsa seanca e parë u mbajt më 26 qershor dhe sot u dha aktgjykimi.

Gazetari, 32 vjeç, mohoi të gjitha akuzat gjatë dy ditëve të seancave dëgjimore në Yekaterinburg, qyteti në Urale, ku u arrestua vitin e kaluar.

Sipas aktakuzës, Gershkovich ishte udhëzuar nga CIA për të marrë “informacion sekret” mbi prodhimin dhe riparimin e tankeve në një fabrikë të rëndësishme në rajon.

Rusia thotë se e kapi Gershkoviçin “në flagrancë” kur ai u arrestua në një kafene në Yekaterinburg dhe thotë se ka “prova të pakundërshtueshme” për akuzat ndaj tij. Megjithatë, gjykata nuk ka dhënë asnjë provë në publik.

Dënimi i gazetarit, i cili u duk menjëherë i pashmangshëm, mund të jetë preludi i një shkëmbimi të të burgosurve që përfshin rusët e ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë