Nga Gazeta Si - Rusia nuk do të paraqesë këtë vit një film në Oscar.
Kjo është hera e parë që vendi ka bojkotuar çmimet prestigjioze të filmit që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, teksa izolimi kulturor i Moskës thellohet.
"Presidiumi i Akademisë së Filmit të Rusisë ka vendosur të mos nominojë një film kombëtar për çmimin Oscar të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit në vitin 2022”.
Kështu ka bërë me dije Akademia Ruse në një deklaratë të hënën e 26 shtatorit.
Kurse kryetari i komisionit rus të nominimit për Oscar njoftoi në një letër të martën se po jepte dorëheqjen pas lëvizjes, për të cilën ai ka thënë se ishte një vendim “i paligjshëm” i marrë “pas shpinës së tij”.
"Udhëheqja e Akademisë ruse të Filmit vendosi në mënyrë të njëanshme të mos nominojë një film rus për nominimin për Oskar”, ka thënë Pavel Chukhray.
Në vitin 1994, Rusia ka fituar çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë, i njohur më parë si filmi më i mirë në gjuhë të huaj, “Burnt by the Sun”.
Filmi, me regji nga veterani Nikita Mikhalkov, portretizon një oficer të Ushtrisë së Kuqe dhe gruan e tij të shqetësuar nga kthimi i një ish të dashuri gjatë represionit stalinist në vitin 1936.
76-vjeçari që drejton Unionin e Kinematografëve Rusë, që atëherë është bërë një mbështetës i zëshëm i presidentit rus Vladimir Putin dhe është shfaqur si një nga figurat më të zhurmshme pro luftës në vend.
Më herët, Mikhalkov ka thënë se Rusia nuk kishte asgjë për të fituar duke marrë pjesë në Oscar të këtij viti, duke propozuar në vend të kësaj të krijonte një çmim ekuivalent për vendet e rajonit post-sovjetik.
"Më duket se zgjedhja e një filmi që do të përfaqësojë Rusinë në një vend, i cili aktualisht mohon ekzistencën e Rusisë, thjesht nuk ka kuptim”, ka thënë ai.
Pushtimi rus i Ukrainës ka ndarë më tej skenën kulturore të vendit, me shumë regjisorë të shquar që kanë emigruar. Midis tyre Kantemir Balagov dhe Kira Kovalenko, dy regjisorë të rinj premtues, filmat e të cilëve u nominuan në Oscar në vitet 2019 dhe 2021.
Po ashtu Rusia e ka vënë në listën e të kërkuarve Vitaly Mansky, një nga krijuesit më të famshëm të filmave dokumentarë në vend dhe një kritik i pushtimit të Ukrainës.
Këtë vit kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (çmimet Oscar) është filmi “Një Filxhan Kafe dhe Këpucë të Reja Veshur” me regji të Gentjan Koçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.