Analize

Rusi-Ukrainë, lufta e parë botërore e kriptomonedhave

Një IT në Kiev, mblodhi 400.000 dollarë në kriptomonedha për të mbështetur ushtrinë ukrainase. Ekziston frika se Rusia po përdor kriptomonedhat për të reduktuar sanksionet e perëndimit.

Dy vendet tashmë pjesë e konfliktit ishin dy ekonomi që përqafuan të parët paranë digjitale dhe tani po kthehen tek ajo si shpëtim në këtë situatë. Në mes të një lufte është shumë e lehtë për të dyja vendet të lëvizin shum atë mëdha parash nëpër botë vetëm me një komandë.

“Përshkak të mungesës së kontrolleve, kriptot mund të përdoren për të financuar ushtrinë ukrainase ose për të ndihmuar Rusinë në minimizimin e efektit të sanksioneve që ka marrë”,-tha Tom Robinson, shef i platformës “Eliptic”. “Askush nuk mund t’a ndalojë përdorimin e tyre për çfarëdo qëllimi”.

Por sa mund të ndikojë në luftë, mbetet për t’u parë. Edhe pse aq sa ushtria ukrainase mund të marrë nga Bitcoin nuk llogariten para 650 milionëve që i dha SHBA.

Aktiviteti i kriptove ruse është zbehur historikisht në krahasim me transaksionet nga institucionet e saj tradicionale financiare. Rusët mblodhën rreth 400 milionë dollarë kriptovaluta nga sulmet e ransomware vitin e kaluar, 74% e të ardhurave globale nga krimi, sipas një studimi të fundit nga Chainalysis. Megjithatë, këto shuma përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të 46 miliardë dollarëve në transaksionet e këmbimit valutor që Departamenti i Thesarit i SHBA thotë se institucionet financiare ruse përpunojnë çdo ditë.

“Sfida për ekonominë ruse dhe individët, në këtë kontekst, është papjekuria e kriptove pasi sistemi i tyre financiar nuk është i përgatitur”, -tha Juan Zarate, një ish-ndihmës sekretar i Thesarit. “Nëse kjo do të ndodhte pesë vjet nga tani dhe do të kishte infrastrukturë, adoptim dhe vëllim më të madh, mund të ishte një histori tjetër. Por ky nuk është realiteti aktual.”

Të dyja palët kanë rrënjë të thella në kripto. Chainalysis e rendit Ukrainën si adoptuesin më të mirë europian të kriptomonedhës dhe të katërtin më të madh në botë. Në shtator, vendi legalizoi kriptot pas vitesh të errëta dhe Ministria e tij e re e Transformimit Digjital ka publikuar skema që rekrutojnë startup-e teknologjike që mund të përfshijnë kriptot.

Një mori aktivistësh perëndimorë të kriptove bënë një thirrje pro-Ukrainase për donacione menjëherë pasi Rusia nisi një sulm të enjten. Ryan Selkis, themeluesi i firmës kripto Messari, shkroi në Twitter: “Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë si industri është të kuptojmë se si të mbështesim popullin ukrainas dhe rezistencën e tij me kontribute kripto.”

Ndërkohë Rusia ka zënë vend ne botën e monedhave digjitale duke i përdorur ato për aktivitet kriminale dhe pastrim parash, sipas Chainanalysis. Bizneset e kriptove që operojnë në qytetin e Moskës, distrikti financiar i kryeqytetit rus, morën në xhep asete digjitale me vlerë 700 milionë dollarë nga subjekte të lidhura me aktivitetin kriminal gjatë tre viteve të fundit, zbuloi Chainalysis. Kjo sugjeron një rrugë të mundshme për ndërmarrjet që kërkojnë të shmangin sanksionet.

Por është e paqartë nëse do të jetë e nevojshme. Sanksionet e shpallura nga administrata Biden janë të përqendruara shumë te bankat dhe nuk mbulojnë pagesat e energjisë, që do të thotë se disa nga bizneset më të mëdha të Rusisë nuk kanë nevojë të drejtohen nga një rrjet i errët pagesash.

Edhe nëse do ta bënin, thonë ekspertët, kriptomonedha nuk do të ishte një vend aq tërheqës sa do të dukej.

“Problemi është jashtë platformës. Teorikisht mund të lëvizni të gjitha pagesat që dëshironi, por derisa t’ju duhet të blini një hamburger në rrugë, nuk mund të bëni shumë me ato paratë,” – tha Nick Furneaux, autor i librit “Hetimi i kriptomonedhave”.

Po ashtu autoritetet amerikane po mundësojnë gjurmimin dhe kapjen e fondeve të paligjshme në rrjetin digjital, që mund të jetë një pengesë për interesat ruse në kërkim të mënyrave të reja të shmangies së sanksioneve.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi këtë muaj se ata sekuestruan 3.6 miliardë dollarë në Bitcoin që dyshohet se ishin vjedhur në një hakim të vitit 2016 të shkëmbimit të kriptove Bitfinex. Verën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë rikuperoi 2.3 milionë dollarë Bitcoin të paguar për kriminelët kibernetikë të Europës Lindore.

“Oligarkët kanë kaq shumë kontabilistë të mirë dhe bankierë bashkëpunëtorë në mbarë botën, ata nuk kanë nevojë të përdorin atë mënyrë”, tha Marshall Billingslea, një ish-ndihmës sekretar i Departamentit të Thesarit gjatë administratës Trump. “Dhe nëse ata po investojnë në këshilltarë të mirë të sanksioneve, ata po paralajmërohen se disa nga këto monedha si Bitcoin nuk janë aq të errëta sa thuhet”.

Administrata Biden është mbështetur në industrinë e kriptove për të ndërmarrë hapat e saj për të bllokuar dhe raportuar subjektet e sanksionuara. Departamenti i Thesarit në tetor publikoi udhëzime duke u kujtuar kompanive të kriptos që ato janë përgjegjëse për kontrollin e platformave të tyre dhe se gabimet mund të çojnë në “veprime dhe ndikime negative në reputacionin dhe biznesin e një kompanie”.

Disa figura ruse po kërkojnë gjithashtu më shumë mbikëqyrje të brendshme të kriptomonedhës. Në një takim televiziv me Putinin të enjten, Alexander Shokhin, kreu i grupit të biznesit Unioni Rus i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve, i tha liderit rus që për hir të “minimizimit të rreziqeve të jashtme financiare”, qeveria duhet të krijoëj “institutin e rregullimit efektiv të aseteve financiare digjitale dhe kriptomonedhës.”

Ndërkohë, Coinbase, tha se po bën një sërë lëvizjesh për bllokimin e adresave IP në zonat e sanksionuara dhe punën me analistët e inteligjencës për të monitoruar “aktorët e kërcënimit dhe rrjetet e tyre”.

“Ne mbetemi vigjilentë për të siguruar që po luajmë rolin tonë dhe po përmbushim detyrimet tona në kontekstin e këtij konflikti që po evoluon me shpejtësi.”

Robinson i Elliptic, vuri në dukje përdorime efektive të kriptove nga vendet nën sanksione. Ai tha se Irani ka qenë në gjendje të përdorë rezervat e tij të naftës duke e ripërdorur atë për të nxjerrë kripto intensive, duke shpëtuar potencialisht qindra miliona dollarë.

“Nxjerrja e kriptomonedhave ofron një mënyrë për Rusinë që të fitojë para nga rezervat e saj të naftës dhe gazit në tregun global edhe nëse nuk është në gjendje t’i eksportojë ato fizikisht,” tha ai.

Burimi: WashingtonTimes / Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë