Gazeta Si – Në shkollën e luftës. Kështu funksionon tani në Rusi. Fillon nga kopshti, ku fëmijët veshin uniforma dhe marrin pjesë në testet e marshimit dhe kur të rriten pak mësojnë të hapin llogore, të hedhin granata dhe të gjuajnë me fishekë të vërtetë.
Sipas CNN , militarizimi i institucioneve arsimore publike u intensifikua pas pushtimit rus të Ukrainës. Investimi është i madh. Ministri i Arsimit, Sergei Kravtsov jep shifrat, nga Paqësori në Detin e Zi, në shkollat dhe universitetet ruse ka rreth 10,000 klube “ushtarako-patriotike” të përbëra nga 250 mijë adoleshentë.
Por nuk mjafton. Është ndryshuar edhe plan-programi shkollor. Librat e historisë lavdërojnë ata që shërbejnë në forcat e armatosura dhe ka mësime të detyrueshme për vlerat ushtarake.
Ligji
Një ligj i ri, i nënshkruar në gusht nga presidenti Vladimir Putin, prezanton një kurs të detyrueshëm mbi “bazat e sigurisë dhe mbrojtjes së atdheut”.
Programi, thotë Ministria e Arsimit, është ende në fazën e testimit dhe do të prezantohet zyrtarisht vetëm në vitin 2024.
Janë planifikuar ekskursione në repartet ushtarake, “lojëra sportive ushtarake, takime me ushtarë dhe veteranë” dhe mësime për dron.
Nxënësit e shkollave të mesme do të mësohen gjithashtu të përdorin municion të vërtetë “nën drejtimin e oficerëve ose instruktorëve me përvojë”.
Qëllimi është të rrënjoset te fëmijët “një kuptim dhe pranim i estetikës së uniformave ushtarake, ritualeve ushtarake dhe traditave luftarake”, sipas një dokumenti të Ministrisë së Arsimit të zbuluar nga mediat e pavarura ruse.
Ushtrimet
Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, propozoi që të kryhen rregullisht ushtrime ushtarake me fëmijët parashkollorë.
Gjatë një parade në qytetin e Vologdës, një fëmijë përshëndeti dhe i tha një zyrtari: “Shoku komandant i paradës! Parada është gati. Unë jam komandantja Uliana Shumelova”. Skena të ngjashme u përsëritën në Sakhalin, në Lindjen e Largët Ruse, në Yeysk, në Detin Azov.
Disa fëmijë duken të emocionuar, të tjerë të çorientuar, komenton CNN. Në Yeysk, një fëmijë parashkollor udhëhoqi marshimin e rojeve kufitare, ndërsa bashkëmoshatarët e tij brohorisnin: “Një, dy, tre. Majtas, majtas, majtas!
Librat e historisë
Historia moderne po rishkruhet gjithashtu. Teksti shkollor “Historia e Rusisë” tani ka në kopertinë urën e Krimesë dhe një kapitull të ri kushtuar historisë së fundit të Ukrainës.
Ka seksione të titulluara “Falsifikimi i historisë”, “Kthimi i nazizmit”, “Neo-nazizmi ukrainas” dhe “Rusia është një vend heronjsh”.
Putini e ka cilësuar vazhdimisht në mënyrë të rreme pushtimin rus të Ukrainës si një “mision special” për të mbrojtur rusisht-folësit nga gjenocidi nga duart e “neo-nazistëve”.
Një kapitull thotë se Ukraina “ka deklaruar hapur dëshirën e saj për të marrë armë bërthamore” dhe se “sanksione të paprecedenta janë vendosur kundër Rusisë, pasi Perëndimi po përpiqet në çdo mënyrë të shembet ekonominë ruse”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



