Lojëra me Dore

Rune, 19-vjeçari i tmerrshëm që çoi në shtëpi Tsitsipas!

Gazeta Si – Mban mbiemrin e nënës menaxhere. Pëlqen spagetit dhe frymëzohet nga 007 dhe Kristiano Ronaldo. Kush është Holger Rune, danezi që ka kaluar në çerekfinale në pjesëmarrjen e parë në Roland Garros…

Ishte vetëm çështje kohe. Ylli i Holger Rune, i datëlindjes 2003, do të shkëlqente si një Supernova në një skenë të jashtëzakonshme të tenisit botëror. Ndodhi në Roland Garros, në pjesëmarrjen e 3-të në një Slam.

Holger Rune, 19 vjeç. Gazeta Si, 31 maj 2022

Eliminoi në 1/8-at finalistin e 2021-shit, Stefano Tsitsipas. Danezi i parë që arrin këtë rezultat te meshkujt konsiderohet prej kohësh një tenist i së ardhmes. Ndaj dhe nuk ishte një surprizë e madhe.

Nuk është ende në nivelion e Karlos Alkaraz, por në një kohë të shkurtër ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Çdo gjë e mirë që thuhej për të, tani është konfirmuar.

Rune ka mundur Aleksander Zverev, duke arritur rezultatin e parë të rëndësishëm. Së fundi ka dërguar në shtëpi edhe grekun Stefanos Tsitsipas. Dhe duket vetëm fillimi.

Ambicjet e tij janë të mëdha. Ishte 17 vjeç, kur tha se Rafael Nadal është një burim frymëzimi, por ai mund të thyente rekordin e spanjollit me 13 fitore në Roland Garros. Një deklaratë që i bëri të qeshnin të gjithë.

Por duke e parë të luajë, pak njerëz kanë dyshime te ky djalosh danez. Rune ka një karakter të fortë. “Dua të bëhem numri 1”, – ka thënë ai në një intervistë për faqen e ATP.

Patrik Mouratoglou, që e sheh nga afër, pasi tashmë stërvitet në akademinë e tij, ka shkuar më tej. Ai është shprehur se Rune nuk ka asnjë pikë të dobët.

Idhulli tjetër i 19-vjeçarit është Kristiano Ronaldo. Që në moshën 6-vjeçare u apasionua pas tenisit. “Më pëlqen fakti që në tenis, ndryshe nga sportet ekipore, fiton ose humb për veten tënde. E kam bezdi të humbas për faj të një shoku”, – ka thënë danezi.

Me të rinjtë Rune ka dominuar dhe ka fituar një Roland Garros. Ka lindur në Charlottenlund. Përveç lojës, ka spikatur edhe për karakterin e vështirë. Gjatë një ndeshjeje nuk është përmbajtur dhe ka sulmuar kundërshtarin me komente homofobe.

Kërkoi ndjesë pas ndeshjes, por ATP e gjobiti me 1500 euro. Kjo sjellje e Rune madje u bë çështje në Danimarkë.

Anke Rune, duke ndjekur nje ndeshje. Gazeta Si, 31 maj 2022

Një veprim që nuk i pëlqeu aspak edhe nënës Anke. Ajo është edhe menaxherja e tij dhe e shoqëron kudo. Gjithsesi, e mbrojti djalin, duke e justifikuar me kapriçot e moshës. Kanë një lidhje të fortë të dy, aq sa Rune mban mbiemrin e nënës.

Babai quhet Anders Nodskov. Pas atij episodi danezi është sjellë mirë dhe ndjek me përpikëri udhëzimet e trajnerit Lars Kristensen. Ishte ai që e pikasi, teksa e pa të luante më të motrën.

Objektivi i 2021-shit ishte të futej në 100-shen e parë. Tani, në 2022-shin, steka është ngritur shumë, me ëndrrën për në ‘top-25’. Edhe planet duhen riparë. Virtualisht është numri 28 në botë dhe mund të jetë mes 20 më të mirëve në fund të këtij turneu.

Vitin e kaluar rritja e Rune ishte e jashtëzakonshme. Me 4 tituj ‘Challenger’ të fituar. Pati edhe kënaqësinë e të fituarit një set ndaj Novak Gjokoviç në Us Open.

Tani ky djalosh, që ka një pasion për James Bond dhe spagetit, mendon se duhet të lërë mënjanë dembelizmin. Vetë Rune e konsideron dfektin e tij më të madh. Duhet punë për të ngjitur shkallët e klasifikimit.

Ndoshta 13 fitoret në Roland Garros të Nadal janë larg si Plutoni, por të ëndërrosh nuk është e ndaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë