Bota

Rumani, kandidati i ekstremit të djathtë merr 40.5% të votave dhe sfidon në balotazh një pro-europian

Gazeta Si – Kandidati i ekstremit të djathtë, George Simion, kreu i partisë nacionaliste Aur, fitoi 40.5% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale rumune.

Në balotazhin e 18 majit, ai do të sfidojë kandidatin e pavarur dhe kryebashkiakun e Bukureshtit, Nicusor Dan, i cili mori 20.9%, duke mposhtur kandidatin pro-evropian, Crin Antonescu me një grusht votash.

Rumunët janë rikthyer në qendrat e votimit pasi zgjedhjet e anuluara vitin e kaluar e zhytën Bashkimin Evropian dhe vendin anëtar të NATO-s në krizën e saj më të keqe politike në dekada.

“Sot populli rumun ka folur. Është koha të dëgjohet, pavarësisht pengesave, pavarësisht manipulimeve. Rumunët janë ngritur”.

Ky është komenti i nxehtë i George Simion për mediat vendase. Transmetuesi “Stirile ProTv”, transmetoi gjithashtu reagimin e parë të Crin Antoneskut, kandidatit pro-BE i mbështetur nga koalicioni qeveritar PSD-PNL-UDMR: “Demokracia do të thotë betejë, fitorja nuk vendoset nga rezultatet e para të exit poll”.

Peizazhi politik i Rumanisë u trondit vitin e kaluar kur një gjykatë supreme anuloi zgjedhjet e mëparshme, në të cilat kandidati jo-favorit i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu doli fitues në raundin e parë, pas akuzave për shkelje elektorale dhe ndërhyrje ruse, të cilat Moska i ka mohuar.

Ashtu si në shumë vende të BE-së, ndjenjat anti-establishment janë të forta në Rumani, e nxitur nga inflacioni i lartë dhe kostoja e jetesës, një deficit i madh buxhetor dhe një ekonomi e ndenjur.

Vëzhguesit thonë se pakënaqësia ka forcuar mbështetjen për figurat nacionaliste dhe të së djathtës ekstreme, si Georgescu, i cili është nën hetim dhe nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e reja.

Rezultati i Simion ishte parashikuar tashmë gjerësisht në sondazhet që i dhanë atij një siguri virtuale në balotazh, kundër kryetarit të Bashkisë së Bukureshtit, Nicusor Dan ose kandidatit të koalicionit qeverisës, Crin Antonescu.

Dan, 55 vjeç, një matematikan dhe ish-aktivist kundër korrupsionit që themeloi partinë Save Romania Union (USR) në 2016, kandidon me një program pro-BE të quajtur “Rumania e ndershme”.

Ai argumenton se Rumania ka nevojë për një president, “i cili ka vullnetin dhe aftësinë për të reformuar sistemin”.

Veterani i qendrës Antonescu, 65 vjeç, e ka bazuar fushatën e tij në ruajtjen e orientimit pro-perëndimor të Rumanisë, ndërsa Victor Ponta, një ish-kryeministër midis 2012 dhe 2015, ka drejtuar një fushatë të stilit MAGA, “Rumania e para” dhe krenohet me lidhje të ngushta me administratën Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë