Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari ka vendosur zyrtarisht të mos dorëzojë mandatin e deputetes në Parlament, duke thyer kështu vendimin e selisë blu.
Në një intervistë për “Zërin e Ameerikës”, ajo ka shpjeguar vendimin e saj, duke theksuar se nuk mund të dalë kundër Kushtetutës dhe integrimit të vendit.
Hajdari ka sulmuar po ashtu edhe partinë aleate të PD-së në këtë vendim, LSI-në, duke deklaruar se për çështje parimore nuk mund të luftojë në krah të tyre.
“Djegia e mandateve dëmton interesin e Shqipërisë, dëmton proceset integruese dhe marrëdhëniet tona dypalëshe me partnerët, SHBA-BE. Është një vendim i marrë rrufe dhe përvoja tregon se mund ta paguajmë shumë shtrenjtë, – u shpreh Hajdari. – Ky vendim mund ta çojë vendin në një detabilitet, në një kthim pas, do doja që vendi të mos shkonte drejt asaj rruge. Ky model është paguar shtrenjtë nga shqiptarët”.
Eksponentë të Partisë Demokratike kanë paralajmëruar se ndaj saj do të mbahet i njëjti qëndrim si me Murrizin për shkeljen e vendimit politik, megjithatë mbetet të pritet se çfarë do të vendosë Kryesia e kësaj partie.
“Akuzat për tradhtar, vijnë nga njerëz shpirt-ngordhur, unë nuk e shes shpirtin tim, nuk shqetësohem për këtë. Ajo që më shqetëson mua, është që të jem përfaqësuese e popullit, – vijoi deputetja e PD. – Nuk është hera e parë që PD përjashton deputetë apo anëtarë, i ka ndodhur edhe tim eti, por kjo ka treguar se ata janë penduar. Im at është përjashtuar dy herë nga PD, ndaj duhet të jemi shumë të matur para këtij vendimi. Nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, unë do zgjedh interesin e Shqipërisë”.
Hajdari foli edhe për aleancën e ngushtë PD-LSI që i parapriu djegies së mandateve dhe lëshoi një akuzë shumë të fortë ndaj partisë së drejtohet nga Monika Kryemadhi.
“Unë do kem një marrëdhënie shumë korrekte me kolegët në Parlament për të parë si do ecim përpara edhe pse gjërat janë akoma në ajër, por kjo bëhet duke përfaqësuar njerëzit brenda Parlamentit. Mendoj që të gjithë ne duhet të reflektojmë se si mund t’i zgjidhim këto probleme. Nuk mund të futemi në një vendim dhe të shohim çfarë do të ndodhë… E kam shumë të vështirë të luftoj në krah të LSI-së, është një çështje parimore për mua. Në raportet e saj, OSBE-ODIHR kanë thënë se është një parti që kanë pasur shumë probleme”.
Rudina Hajdari bëhet zyrtarisht deputetja e dytë nga Partia Demokratike që refuzon dhënien e mandatit pas Myslim Murrizit.
PD: Rudina Hajdari nuk na përfaqëson në Parlament

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Rudina Hajdarit për mos-djegien e mandatit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaron se “Rudina Hajdari nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike”, thotë ai.
“Vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton! Në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike”.
Bardhi nuk la pa përmendur me këtë rast as babain e deputetes si një simbol i PD që ka luftuar për liri e demokraci.
“Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve, – shtoi zyrtari demokrat. – Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar!”, shkruan Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




