Politike

Rudina Hajdari: Po më përjashtojnë! Mirë është që ta dini…

Mos dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e Rudina Hajdarit pritet të shoqërohet me një përjashtim nga Partia Demokratike. Një paralajmërim i tillë u dha nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë një emisioni televiziv, i cili theksoi se “Përjashton veten. Zt.Murrizi ka qenë në grup parlamentar, ka votuar. Nuk di se mund të adoptohen dy standarde”. Ndërsa një paralajmërim i tillë u dha edhe nga kandidati për deputet i PD-së Gerti Bogdani, i cili deklaroi se vajza e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdarit do të përjashtohet nga PD-ja.

Pikërisht këto qëndrime kanë bërë që deputetja e PD-së, e cila nuk e ka dorëzuar mandatin të mbajë një qëndrim në rrjetet sociale. “Mirë është që ta dini!”, shkruan Hajdari në Twitter, e cila poston deklaratën e bërë nga eksponentët e PD-së, që paralajmërojnë përjashtimin nga partia që themeluesi kryesor ishte babai i saj, Azem Hajdari. Me anë të këtij postimi deputetja e PD-së vë në dijeni përfaqësues ndërkombëtarë, me peshë të politikës si kongresmenin Eliot Engel, presidentin e PPE-së, Josef Daul, europarlamentarët David Mcallister apo dhe Knut Fleckenstein, si dhe ambasadën amerikane në Tiranë.


Rudina Hajdari ka qenë një ndër politikanet që kanë qënë kundër qëndrime ekstreme të mbajtur nga ana e Partisë Demokratike, duke dënuar dhunën e ushtruar në protestën e 16 shkurtit përpara Kryeminsitrisë. Ky ishte dhe ndonjë sinjal i kundërshtimit të vendimit të marrë nga ana e PD-së, për dorëzimin e mandatit të deputetit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo thekson se për të vendosur për një çështje të tillë ndikohet edhe të historia e familjes së saj në sjelljen politike aq edhe në perceptimin publik të saj.

“Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj. Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke iu kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit. Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset trasformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik. Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrsesi”, shkruan Hajdari në Facebook.


Brenda PD-së, veç Hajdarit edhe deputeti Myslym Murrizi kontestoi vendimin për të dorëzuar mandatin. Burime nga PD shprehen se nga të 194 emrat në listën zgjedhore të vitit 2017, 4 prej tyre nuk kanë firmosur ende dorëheqjen. Lefter Maliqi, Ligoraq Karamelo, Erion Piciri dhe Selami Jenishehiri. Ndërsa të 146 shkresat e mbetura të kandidatëve, pritet të depozitohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë