Politike

Rudina Hajdari: Djegia e mandateve, atentat ndaj demokracisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari vijon të këmbëngulë se vendimi i opozitës për të djegur mandatet parlamentare ka qenë shumë i rëndë.

Ajo ka shprehur qëndrimin e saj ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si një atentat kundër demokracisë shqiptare.

Hajdari tha se është kundër qeverisë Rama për shumë gjëra, por theksoi se ajo është më e thjeshta për t’u rrëzuar vetëm me mjete demokratike.

“Në asnjë moment nuk e kam ndjerë veten se kam pasur dyshime për mosdorëzimin e mandatit, sepse akti i dorëzimit kishte disa problematika, nuk kishte një debat të gjerë, sepse bëhet fjalë për një vendim shumë të rëndësishëm për vendin, për PD, – tha ajo në emisionin “Open”. – Unë nuk isha fare brenda grupit parlamentar kur u mor ky vendim, ndoshta duhej të pritej pak më shumë dhe ndoshta duhej të ishim konsultuar me aleatët tanë të huaj, që na kanë ndihmuar në këto procese. Pas vendimit që u mor, partnerët e huaj nuk e mbështetën këtë vendim, më vjen keq, por është një vendim shumë i rëndë, unë do ta cilësoja si një atentat kundër demokracisë shqiptare, – tha ajo. – Duhej të ishte konsultuar si vendim, pastaj njerëzit duhet të jenë të lirë të vendosin në mënyrë individuale”.

Hajdari shtoi se protestat e studentëve ishin një moment kyç për vendin. “Studentët e zgjuan koshiencën e shoqërisë shqiptare për të reaguar”.

Në lidhje me qëndrimin e vëllait të saj, i cili proteston në krah të Bashës, Hajdari nuk shikon asnjë problem, duke mohuar një përçarje në familje.

“Patjetër që flas me vëllain tim, – shpjegon Hajdari, – por ne jemi rritur në këtë lloj mënyre, të kemi mendimet tona, kemi kundërshtitë tona për disa gjëra, por kjo nuk do të thotë se ne jemi të përçarë. E vetmja gjë që e kam këshilluar vëllain tim, i kam thënë që të mos jetë pjesë e dhunës. Patjetër që do jem në krah të demokratëve. Unë kam një qëllim të qartë në atë që bëj, vëllai im është një person që më mbështet në çdo hap. Ndihem shumë krenare për familjen time dhe për vëllain tim, i cili del dhe thotë amanetin e babait tonë. Kjo tregon se opozita ka disa shqetësime që janë të drejta. Edhe unë jam kundër disa vendimeve të qeverisë, ndaj jam në Parlament. Unë kam qenë kundër vendimit të PD, edhe pse protesta është një mekanizëm, por mund të zgjidhnim një mekanizëm të dyfishtë”.

Hajdari pranoi se ka pasur kontakte me kolegë të ndryshëm në PD, por pa cituar emra, sepse sipas saj mund t’iu krijojë probleme për shkak të vendimit të saj. “Siç më ndodhi mua, sepse isha një nga viktimat që më përjashtuan nga partia”.

Deputetja e PD tregon edhe marrëdhënien që ka pasur me kreun e partisë Lulzim Basha: “E kam njohur për një kohë ndoshta 5-vjeçare, kemi pasur marrëdhënie shumë normale, e kam mbështetur, mendoj se i ka të gjitha parametrat për të qenë lider, por në rastin konkret është një moment shumë i vështirë për Shqipërinë dhe duhet të reflektojë gjatë që të mos marrim vendime të tilla. Roli i kryetarëve të partive politike është që të mbikëqyrin mbarëvajtjen e vendimeve të partisë. Sepse vendimi ndodhi në mënyrë autoritare, shumë të shpejt dhe të nxituar. E çuditshme, sepse ai dha vendimin me një deklaratë dhe nuk pati asnjë zë kundër. Qeveria Rama është më e thjeshta për t’u rrëzuar, por duhet të ndodhë në mënyrën me demokratike të mundshme. Ne duhet të jemi në Parlament për të shtruar tezat tona, më pas janë njerëzit që përcaktojnë se kush vjen nesër në qeveri. Precedenti qëndron se asnjë qeveri nuk ka kaluar më shumë se dy mandate”.

Zërave për një mbështetje të fortë të partnerëve të huaj, sidomos ata amerikanë në këtë vendim, Hajdari iu përgjigj: “Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë