“Nuk kam kohë dhe moshë të turpërohem se s’kam kohë ta korrigjoj dhe unë kam përgjegjësinë ligjore që ti them, ashtu sikurse jap verdiktin për zgjedhjen tuaj, të bëj minimumin për shkarkimin tuaj”. Ky ka qenë paralajmërimi i kryeparlamentarit Gramoz Ruçi ndaj 21 krerëve të institucioneve të pavarura, që zgjidhen nga Parlamenti në takimin e zhvilluar mbi plotësimin e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, Ruçi ka qenë tejet i ashpër ku ka paralajmëruar drejtuesit e institucioneve të pavarura në mos përmbushjen e rezolutave të lëna si detyrim nga ana e Parlamentit.
Kryetari i Kuvendit gjatë fjalës së tij tërhoqi vëmendjen se institucionet nuk i janë përgjigjur detyrimeve dhe afateve ligjore, për të informuar mbi zbatimin e rezolutave. Gjatë vitit 2018, vetëm 8 institucione iu përgjigjën në kohë detyrimeve që u ngarkon Vendimi i Kuvendit dhe Manuali i Monitorimit dhe raportuan në afatet ligjore në komisionet parlamentare. Janë për të raportuar akoma edhe 13 institucione të tjerë.
Rezulton se nga 221 rekomandime, janë realizuar plotësisht 139 rekomandime, 72 janë realizuar pjesërisht dhe 10 rekomandime nuk janë realizuar.

“Institucionet e pavarura nuk mund të pengojnë dhe as të ngadalësojnë ritmet, forcën dhe rrezen e kontrollit parlamentar. Por edhe komisionet dhe shërbimet e Kuvendit duhet të bëhen më dinamike e rezultative në punën e tyre dhe të përmirësojnë cilësinë e rekomandimeve që bëhen pjesë e Rezolutave. Rezolutat e Kuvendit nuk ngarkojnë realizimin e objektivave të pamundura dhe as u kërkojnë institucioneve të pavarura të bëjnë çudira. Rekomandimet e tyre konsistojnë thjesht në zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficencës së veprimtarinë së institucioneve. Kam kërkuar nga organet e Kuvendit që rekomandimet të jenë më konkrete, më të thelluara dhe me fokus rritjen e llogaridhënien ndaj qytetarit”, tha Ruçi.
Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen në disa çështje prioritare të kontrollit parlamentar që lidhen me zbatimin e detyrave që burojnë nga rezolutat e Kuvendit dhe rekomandimet e institucioneve të pavarura, por duke i kërkuar që të ndihmojnë në përmbushjen e angazhimeve për çeljen e negociatave.
“Institucionet e pavarura duhet të bëjnë kujdes për ato aspekte të punës së tyre, si edhe të rekomandimeve që lidhen me procesin e integrimit europian. Bashkimi i Shqipërisë me familjen europiane është kërkesë e 95 për qind të shqiptarëve. Por përmbushja e objektivave dhe standardeve për çeljen e negociatave nuk është detyrë vetëm e Qeverisë dhe e Kuvendit, por e të gjithë institucioneve. Institucionet duhet të ndjekin në dinamikë e me përgjegjshmëri fatin e rekomandimeve që bëjnë dhe jo të sillen me papërgjegjshmëri të tipit “Më qani pak burrin se unë po shkoj në dasëm!”, theksoi kryeparlamentari.

Në takim merrnin pjesë edhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, Ambasadori i OSBE-së z.Bernard Bochardt dhe përfaqësuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gutzkow.
Ambasadori i BE, Luigi Soreca gjatë fjalës së tij kërkoi fuqizimin e institucioneve të pavarura, pasi sipas tij ato janë kyç në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. “Është urgjente që ne të arrijmë rezultate më të prekshme dhe më të dukshme në publik. Këto përpjekje të cilat prekin çdo element të arkitekturës shtetërore kërkojnë një angazhim të fortë politik dhe teknik. Është arritur progres në disa fusha, por ka ende sfida që duhen trajtuar. Raportet vjetore të KE janë shprehur që Shqipëria duhet të fuqizojë institucionet e pavarura, duke përfshirë nevojën për të trajtuar boshllëqe në kuadrin legjislativ, apo edhe nga mënyra si funksionojnë buxhetet dhe burimet njerëzore. Është e rëndësishme për BE që parlamenti dhe qeveria të sigurojnë dhe të marrin masa për punën e rekomandimeve nga institucionet e pavarura. BE pret që këto rezultate të jenë të vazhdueshme”, deklaroi Soreca.

Agron Tufa, drejtori i Institutit për Dënimin e Krimeve Kundër Komunizimit ngriti shqetësimin për debatin e disa ditëve më parë me deputetin Spartak Braho. Tufa kërkoi të merren masa disiplinore ndërsa kreu i grupit socialist i tregoi derën e Gjykatës dhe Prokurorisë. “Unë doja që këtij deputeti t’i tërhiqet vërejtje ( i referohet Spartak Brahos), pasi më ka kërcënuar dhe më ka shantazhuar”, deklaroi Tufa.
Por Ruçi iu kundërpërgjigj se “deputeti mund të shprehë pikëpamjet e tija që nuk është dakord me qëndrimin tënd, kjo është një e drejtë e tij”, ndërsa kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh se “Për fyerje mund ti drejtoheni gjykatës, për shantazh prokurorisë”. Disa nga institucionet kërkuan më shumë burimeve njerëzore dhe buxhet për mbarëvajtjen e punës së tyre, siç ishte kërkesa e Gentina Sulës, kreut të Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




