Gazeta Si – Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në NATO, ndërsa theksoi rëndësinë e fuqisë së aleancës gjatë fjalimeve në Bruksel.
“Ndërsa flasim tani, Shtetet e Bashkuara janë po aq aktive në NATO sa ka qenë ndonjëherë, dhe një pjesë e kësaj histerie dhe hiperbolizmi që shoh në mediat globale dhe disa media vendase në Shtetet e Bashkuara në lidhje me NATO-n, është e pajustifikuar. Presidenti Trump e bëri të qartë se ai mbështet NATO-n, ne do të mbetemi në NATO, ai e bëri të qartë,” tha Rubio.
Rubio shtoi se Trump “nuk ishte kundër NATO-s”. “Ai është kundër një NATO që nuk ka aftësitë që i nevojiten për të përmbushur detyrimet që traktati i imponon çdo shteti anëtar”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, theksoi se, pavarësisht konfirmimit për të qëndruar në NATO, “secili nga vendet anëtare duhet të angazhohet dhe të përmbushë premtimin për të rritur deri në 5% shpenzimet për ushtrinë.”, u shpreh Rubio.
Idenë e Rubios e përforcoi edhe Shefi i NATO-s Mark Rutte. Ai u përpoq të sigurojë aleatët evropianë se Uashingtoni do të mbetet i përkushtuar ndaj aleancës ushtarake perëndimore, pavarësisht fjalëve të ashpra nga Presidenti Donald Trump.
Ministrat evropianë pritet të përdorin takimin për të shfaqur planet e tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Sipas vlerësimeve të NATO-s, 23 nga 32 anëtarët e aleancës arritën ose tejkaluan objektivin prej 2% vitin e kaluar. Disa nga ekonomitë e mëdha të kontinentit, si Italia dhe Spanja, ishin ndër ato nën objektivin, përkatësisht me rreth 1.5% dhe 1.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.