Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vizitoi Kanalin e Panamasë më 2 shkurt, nga ku paralajmëroi Panamanë se Uashingtoni do të “ndërmarrë masa të nevojshme”, nëse ajo nuk e kufizon përfshirjen e Kinës në rrugën e rëndësishme ujore.
Pas kërcënimeve, presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, ritheksoi sovranitetin e vendit të tij mbi këtë kanal, por ai gjithashtu tha se i adresoi shqetësimet e Uashingtonit në lidhje me ndikimin e supozuar të Pekinit duke mos rinovuar marrëveshjen e Panamasë për t’u bashkuar me nismën kryesore të Kinës, Rruga dhe Brezi (BRI).
Mulino gjithashtu njoftoi hapa të mëtejshëm për të bashkëpunuar për imigracionin, një çështje e rëndësishme politike për administratën amerikane.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Rubio i përçoi një mesazh nga presidenti Donald Trump, duke theksuar se prania e Kinës është kërcënim për rrugën ujore dhe e shkel traktatin SHBA-Panama.
“Sekretari Rubio e bëri të qartë se kjo status-quo është e papranueshme dhe se, në mungesë të ndryshimeve të menjëhershme, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa të nevojshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre sipas traktatit”, tha Bruce.
Rubio nuk shpjegoi hapat që do të duhej të ndërmerreshin nga Panamaja, apo çfarë veprimesh hakmarrëse mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, nëse nuk merren masa.
Mulino u tha gazetarëve se Panamaja do të kërkojë të punojë me Shtetet e Bashkuara për investime të reja, duke përfshirë projekte infrastrukturore.
“Mendoj se kjo vizitë hap derën për të ndërtuar marrëdhënie të reja… dhe për t’i rritur sa më shumë investimet amerikane në Panama”, tha ai.
Megjithëse Mulino i tha Rubios se sovraniteti i Panamasë mbi kanalin është i padiskutueshëm, ai gjithashtu tha se i adresoi shqetësimet e Uashingtonit në lidhje me ndikimin e supozuar të Pekinit mbi rrugën ujore.
Vendimi për të mos rinovuar memorandumin e mirëkuptimit të vitit 2017 për t’u bashkuar me BRI-në shënon një hap të hershëm për t’i zbutur shqetësimet e Uashingtonit për ndikimin kinez në Panama. BRI-ja është nisma kryesore e politikës së jashtme të liderit kinez Xi Jinping, dhe ky projekt global i infrastrukturës ka çuar në investime kineze në vlerë qindra miliarda dollarë në mbarë botën.
Trumpi ka thënë se nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Panamasë. Këto deklarata i kanë shqetësuar shumë aleatë të SHBA-së në Amerikën Latine dhe më gjerë.
Trump pretendoi më 2 shkurt se “Kina e udhëheq Kanalin e Panamasë”.
“Ai nuk iu dha Kinës, iu dha Panamasë – në mënyrë të pamenduar – por ata e shkelën marrëveshjen. Ne do ta rimarrim [Kanalin e Panamasë], ose diçka shumë e fuqishme do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve.
“Nuk mendoj se do të jenë të nevojshme trupa ushtarake në Panama”, shtoi ai.
Trump foli gjithashtu edhe për mundësinë që Shtetet e Bashkuara ta blejnë ishullin e Grenlandës nga Danimarka, pavarësisht se ajo ka thënë se nuk është në shitje. Trump sugjeroi po ashtu se Kanadaja duhet të bashkohet me Shtetet e Bashkuara. Por, serioziteti i këtyre komenteve nuk është i qartë.
Puna e Kinës me kanalin kryhet kryesisht përmes korporatës Hutchison Holdings, me bazë në Hong Kong, e cila operon dy porte pranë hyrjeve të kanalit sipas një koncesion 25-vjeçar të rinovuar në vitin 2021.
Javën e kaluar, Rubio tha se sipas statusit të tanishëm, Kina teorikisht mund t’i përdorë portet për ta mbyllur kanalin, në rast se shpërthen ndonjë konflikt mes Shteteve të Bashkuara dhe gjigantit aziatik.
Presidenti i Panamasë tha se takimi i tij me Rubion më 2 shkurt ishte miqësor dhe i respektueshëm. Ai tregoi se është e mundur të rishikohen disa nga bizneset kineze në Panama, përfshirë koncesionin e portit.
Kina e ka mohuar çdo përfshirje në udhëheqjen e kanalit dhe ka deklaruar se respekton kontrollin e Panamasë mbi rrugën ujore.
“Kina asnjëherë nuk ka ndërhyrë”, tha muajin e kaluar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke shtuar se Pekini e njeh kanalin si “një rrugë ujore ndërkombëtare dhe përherë neutrale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




