Analize

Rrugëtimi prej një dekade i Procesit të Berlinit / Sa arritje numërojmë dhe çfarë mbeti në vendnumëro

Nga Gazeta ‘Si’-Procesi i Berlinit i cili u nxit si një iniciativë që në thelb kishte mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt hyrjes në BE, ka kaluar tashmë në një rrugëtim 10-vjeçar.

Ideja e tij ishte që përmes tij, vendet e Ballkanit Perëndimor - Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina - të rrisnin bashkëpunimin mes tyre dhe me vendet e BE-së.

Nga Selaniku në Berlin...

Samiti i Ballkanit Perëndimor i vitit 2003 në Selanik, premtoi një thellim të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, perspektiva e anëtarësimit në BE nuk pati progres; në realitet ajo mbeti në vendnumëro.

Dështimi i Samitit të Selanikut nxiti Gjermaninë që të sjellë një iniciativë të re në rajon. U gjet momenti i duhur, pikërisht atëherë kur politika e zgjerimit po sfidohej në mënyrë kritike, pasi BE-ja po ndalonte hyrjen për shtetet e reja anëtare.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emanuel Macron dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, 30 prill 2019

Kriza e brendshme e paprecedentë në BE, rritja e lëvizjeve populiste, pengesat e vendosura ndaj emigracionit, kriza e vazhdueshme ekonomike dhe rritja e terrorizmit, absorbuan të gjitha kapacitetet e saj politike.

Duke pasur raporte të drejtpërdrejta me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, Gjermania mori përsipër drejtimin e iniciativës së Procesit të Berlinit.

Në verën e vitit 2014, atëbotë kur kancelare ishte Merkel, krerët e shteteve dhe qeverive të rajonit u mblodhën në një konferencë në Berlin. Ndër vite, ky proces u zgjerua dhe sot ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Katër objektivat e pandryshuara të Procesit të Berlinit

Objektivat e Procesit të Berlinit janë katër.

Këto objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i  një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit.

“Agjenda e Konektivitetit”, e cila përfshin zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, përmirësimin e lidhjeve rajonale dhe thjeshtimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, përbën thelbin e Procesit të Berlinit.

Samiti i Procesit të Berlinit, 2022

Në një dekadë, sa arritje mund të numërojmë?

Përkundër disa marrëveshjeve dhe deklaratave të miratuara përgjatë një dekade, përparimi në terren ka qenë jo fort i shpejtë. Rikthimi i vullnetit politik të vendeve anëtare të BE dhe atyre të BP në procesin e zgjerimit dhe bashkëpunimit rajonal qendron në krye të arritjeve të Procesit të Berlinit.

Megjithatë, në një listë me disa nga arritjet më të rëndësishme ndërmendim:

-Krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO),

-Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (ËBCIF),

-Krijimi i Korridoreve të gjelbra brenda rajonit dhe korridoreve të gjelbra midis BP dhe vendeve të BE-së,

-Marrëveshja Roaming (implementimi filloi me 1 korrik 2021),

-Marrëveshja për uljen e tarifave roaming midis BP dhe BE-së (implementimi filloi më 1 tetor 2023),

Çfarë nuk zbatohet ende?

Në kuadër të Procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në vitin 2022 për tri marrëveshje në drejtim të jetësimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Marrëveshjet e nënshkruara kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Kosova i ratifikoi të tria marrëveshjet, por jo vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Për shembull, për njohjen e diplomave, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje edhe në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, por ajo nuk gjeti zbatim në terren.

Një vit më parë në Tiranë… çfarë prodhoi ky samit?

Për të parën herë, në 2023-shin, takimi i Procesit të Berlinit u organizua jashtë kufijve të BE-së.

“Vetëm duke punuar së bashku, do të bëjmë të mundur që Ballkani Perëndimor të vijë aty ku meriton, në zemër të Bashkimit Evropian. Këto janë momente kyçe, momente të rëndësishme vendimmarrëse, mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, kapeni momentin”, apeloi Von der Leyen duke shtuar që BE ka nevojë për miqtë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Samiti i Procesit të Berlinit, Tiranë 2023

Megjithatë, përpos disa thirrjeve për zbutjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe rikthimin e dialogut konstruktiv, samiti i shkuar i Procesit të Berlinit nuk prodhoi ndonjë gjë të madhe përpos disa marrëveshjeve:

Përmes Deklaratave të Përbashkëta shtetet e Ballkanit Perëndimor u zotuan për:

“Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit ndërmjet BP6 dhe Tregut Unik të BE-së. Kjo do të bëhet me anë të mekanizmit financues të Bankës Botërore TTFP-2, i cili synon thjeshtëzimin e procedurave të tregtisë mes rajonit dhe BE-së, përmirësimin e logjistikës së transportit rajonal, si dhe asistencë teknike në zbatim të reformave.

Zhvillimin e Nismës për WiFi për Ballkanin Perëndimor e cila synon përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe fillimin e një pilot projekti për instalimin e shërbimit WiFi në hapësira publike në disa komuna.

Anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) për lehtësimin, sigurimin dhe fuqizimin e transfereve financiare mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Me anë të anëtarësimit të plotë në SEPA do të sigurohet hapja e tregut financiar që do t’i ulë kostot e transferit dhe përmirësojë shërbimet, gjë që do t’ua lehtësojë ndjeshëm mërgatës sonë transferin e remitencave.

Krijimin e një Observatori të Konvergjencës në Ballkanin Perëndimor, i cili do të identifikojë dhe masë elementet kyçe për konvergjencën e rajonit tonë me BE-në, si dhe do të japë propozime për përshpejtimin e këtij procesi.

Parandalimin e Ndotjes Plastike, përfshirë mbeturinat, përmes së cilës gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ndërmarrin hapa për parandalimin efektiv të ndotjes plastike në tokë dhe det.”

Me Deklaratën e Përbashkët “Partneriteti Rajonal për Klimën” ndërmjet gjashtë shteteve dhe Republikës Federale të Gjermanisë liderët gjithashtu u zotuan për rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe të ndryshimeve klimatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë