Faji i saj i vetëm? Të qenit endacake. Qenushja Mirushe është gjetur në kushte të mjerueshme në një lagje të Tiranës . Personat që e gjetën menduan se ishte përplasur nga ndonjë mjet dhe braktisur aty por jo, ajo ishte rrahur në mënyrë barbare, që “La Stampa” e cilëson si një dhunë të padëgjuar, pa arsye, që i shkaktoi një dëmtim të pakthyeshëm të shtyllës kurrizore.
Prej asaj dite, pesë vite më parë, Mirushja është gjysmë e paralizuar. Ajo u mbajt nga vullnetarë shqiptarë dhe falë Cinzias, një vullnetare toskane që kujdeset për një grup qensh me aftësi të kufizuara, mbërriti në Itali për të nisur një jetë të re, larg barbarisë që pësoi në vendin e saj. Por pavarësisht apeleve të shumta, askush nuk ka pasur kurrë guximin ti dalë zot, ndoshta i frikësuar nga gjendja e qenushes.
Cinzia ka gjetur një strehë për Mirushen në Macerata, ku qëndron me qen të tjerë dhe ka një familje që kujdeset gjithashtu për të. Por për të, e cila tashmë është 8 vjeç, tani do të duhej një alternativë tjetër: një shtëpi komode me pak qetësi dhe relaks ku të kalonte vitet e saj të arta.
"Mirushja është një qenushe e lezetshme. Ajo erdhi nga Shqipëria në kushte të tmerrshme, me Ehrlichiosis të plotë (sëmundje e shkaktuar nga rriqrat) dhe Leishmaniozë (infeksion i rëndë) të padiagnostikuar.
Në Itali ajo filloi mjekimin dhe sot nuk i duhet më as të marrë ilaçe, thjesht duhet që gjendja e saj të mbahet nën kontroll”, thotë Cinzia.
Ajo ka edhe një karrocë me të cilën mund të lëvizë e pavarur për disa orë në ditë dhe ndonëse sigurisht që është traumatizuar nga eksperienca që ka pasur, nuk e tregon.
“Ajo është përshtatur me gjendjen e saj, pavarësisht se nuk ka bërë asgjë për ta merituar atë. Duke e parë atë më dhemb zemra, por më pas mendoj për forcën që ka treguar dhe kjo tregon se kjo qenushe ka diçka më tepër se qentë e tjerë”, thotë Cinzia.
Mirushja mund të udhëtojë në të gjithë Italinë, ajo thjesht po kërkon dikë që mund ta dojë dhe ta mirëpresë ashtu siç është.
Burimi: La Stampa. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.