Nga Harlem Désir – “Unë kisha dëgjuar se trafikantët mund të ndihmojnë për të migruar. Madje njëherë bisedova në telefon me njërin prej tyre. Por një nga motrat e mikut tim u mbyt në det. Ndaj vendosa se ajo nuk ishte mënyra për të shpëtuar jetën time. . .Preferoj më mirë të vdes brenda Afganistanit dhe jo në ujë diku tjetër”- thotë Samira, një 42-vjeçare nga Afganistani.
Çdo ditë, shumë njerëz të zakonshëm si Samira përballen me zgjidhjen e tmerrshme, nëse do të vazhdojnë të jetojnë në mesin e një katastrofe humanitare apo do të rrezikojnë që të migrojnë diku tjetër për të shpëtuar jetën e tyre. Dhe të qenit në gjendje për t’u ofruar atyre rrugë të qëndrueshme e të sigurta drejt një vendi ku do të ndihen më të mbrojtur, është një gur themeli i çdo sistemi efektiv të azilit dhe migrimit.
Megjithatë, në këtë aspekt Evropës ka mungesa të mëdha. Madje edhe rrugët që ekzistojnë priren të jenë të rrezikshme, plot burokraci dhe gati të pamundura për t’u aksesuar nga emigrantët. Një rrugë e tillë e sigurt është zhvendosja e refugjatëve.
Pra ri-sistem të tyre në një mënyrë të provuar dhe të testuar, që t’u japë mundësi refugjatëve që ndodhen në një situatë të dëshpëruar dhe janë të detyruar të largohen nga vendi i tyre në një vend tjetër – si Turqia, Pakistani apo Uganda – dhe që më pas të zhvendosen në një vend të tretë të sigurt, i cili është më i aftë për të përmbushur nevojat e tyre.
Zhvendosja mund të jetë një rrugë shpëtimi për ta. Sepse ajo ndihmon gjithashtu në lehtësimin e presionit mbi vendet që janë destinacioni i parë i mbërritjes, dhe u mundëson vendeve pritëse t’i mirëpresin refugjatët në një mënyrë më njerëzore dhe më me efikaset.
Por pavarësisht nga të gjitha këto përfitime, zhvendosja e refugjatëve nuk po kryhet nga shumë prej shteteve më të pasura dhe më të qëndrueshme të botës. Për shembull, Forumi Global i Refugjatëve (GRF) i mbajtur së fundmi në Gjenevë, u shpall si mbledhja më e madhe në botë mbi refugjatët.
Aktiviteti që zhvillohet çdo 4 vjet, duhet të ishte shfrytëzuar si një shans ku vendet e Bashkimit Evropian të tregonin udhëheqje mbi çështjen e zhvendosjes së refugjatëve dhe emigrantëve, të bënin premtime të guximshme dhe të hartonin e miratonin një udhërrëfyes të qartë që të tregojë se si ringjallen, zgjerohen dhe janë të qëndrueshme programet kombëtare të zhvendosjes.
Mjerisht, ky nuk ishte rasti. Që nga GRF-ja e fundit në vitin 2019, numri i individëve në nevojë për t’u zhvendosur nga qendrat e azilantëve në një destinacion përfundimtar, është rritur thuajse 3 herë, duke shkuar nga 1.4 në 2.4 milion. Megjithatë, gjatë së njëjtës periudhë, janë përgjysmuar premtimet e BE-së.
Në vitin 2019, vendet e BE-së u zotuan të rivendosnin 30.000 refugjatë vitin e ardhshëm. Javën e kaluar, ata u zotuan të shpërndajnë dhe sistemojnë vetëm 31.000 gjatë viteve 2024- 2025. Pra vetëm 15.500 në vit. Gjithsesi kjo shifër ishte përveç premtimit për të mirëpritur edhe 30.000 emigrantë të tjerë nëpërmjet pranimeve për arsye humanitare, skemë që lejon zhvendosjen urgjente të individëve të cenueshëm, pas urgjencave humanitare të tilla si një konflikt apo katastrofë mjedisore.

Ndërsa çdo premtim është natyrisht i mirëpritur, është e qartë se përgjigja e BE-së është shumë larg nivelit në rritje të nevojës dhe kapacitetit të saj për të mirëpritur njerëz në nevojë. Për më tepër, duke pasur parasysh faktin që vendet e BE-së kanë dështuar të përmbushin objektivat e tyre të përbashkëta të zhvendosjes së emigrantëve çdo vit që nga viti 2020, është e vështirë të shihet se si do synojnë t’i arrijnë këto synime.
Deri më tani, shifrat e OKB-së tregojnë se 13 vende anëtarë të BE-së, kanë rivendosur këtë vit gjithsej vetëm 11.000 refugjatë. Dhe teksa ka ende kohë për të përmbushur premtimet e tyre fillestare, kjo është shumë më pak se objektivi i tyre prej 16.000 emigrantësh.
Përpjekjet aktuale të Bashkimit Evropian nuk janë shumë premtuese. Prandaj ka ardhur koha që blloku të njohë rëndësinë e rrugëve të sigurta, të investojë siç duhet në to, dhe këto janë hapat që unë mendoj se duhet të ndjekë.
Së pari, duhet të shtohet volumi i zhvendosjes së refugjatëve por edhe rrugët e tjera të sigurta të hyrjes për në Evropë. Ne po u bëjmë thirrje vendeve të BE-së, që së bashku të sistemojnë përfundimisht të paktën 44.000 refugjatë gjatë vitit 2024.
Ky objektiv – rreth 1.500 emigrantë të pranuar nga çdo vend anëtar – është krejtësisht i arritshëm dhe duhet të rritet më tej në vitet në vijim. Sa për të bërë një krahasim:Libani, me një popullsi prej rreth 5.5 milionë banorësh, pret aktualisht rreth 1.5 milionë refugjatë sirianë.
Përtej zhvendosjes, BE-ja duhet të përmirësojë edhe qasjen në rrugë të tjera të sigurta, përfshirë bashkimin e familjeve, pranimet për qëllime humanitare dhe skemat e punës dhe studimit. Ka një aset të madh talentesh që presin vetëm mundësinë për të mbushur boshllëqet aktuale në Evropë, dhe shumë refugjatë janë të gatshëm dhe mezi presin të kontribuojnë.
Për më tepër, vendet e unionit duhet t’ii kthejnë fjalët e tyre në vepra duke përmbushur angazhimet që marrin. Sepse çdo zotim që nuk përmbushet, lë një person tjetër të pambrojtur dhe të bllokuar në një gjendje dëshpëruese.
Ndaj që të kthehen në rrugën e duhur, vendet anëtare të unionit duhet të investojnë urgjentisht në programet e tyre të zhvendosjes, dhe të forcojnë bashkëpunimin me vendet ku emigrantët zbarkojnë dhe kërkojnë fillimisht azilin, duke kapërcyer barrierat dhe vonesat që pengojnë funksionimit si duhet të sistemit.
Për më tepër, ndërsa Pakti i BE-së mbi Migracionin dhe Azilin – i miratuar javën e kaluar –ka shumë të meta, ofron ende një fije shprese në Kornizën e Risistemimit të emigrantëve.
Bashkimi Evropian nuk ka luksin që të humbasë mundësinë që vendet e saj anëtare të harmonizojnë kriteret, procedurat dhe proceset e zhvendosjes, një hap ky thelbësor në drejtim të krijimit të një qasjeje të përbashkët evropiane, e cila është kërkuar prej kohësh nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe partnerët e tij.
Së fundmi, ndërsa vendet kanë një imperativ politik dhe moral për të zgjeruar rrugët e sigurta të migrimit, është jetike që kjo të mos ndodhë me koston e një sistemi azili jo human. Çdo person që mbërrin në Evropë – qoftë nëpërmjet një rruge të sigurt apo më të rrezikshme – gëzon të drejtën themelore për të kërkuar azil. Dhe kjo e drejtë e çmuar duhet të mbështetet dhe forcohet në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian dhe të drejtën ndërkombëtare.
Burimi: Politico.eu/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




