Konfindustria shprehet e shqetësuar për gjendjen e vështirë të një pjesë të konsiderueshme të rrugëve në vend, që sipas saj po shkatërrojnë shumë sektorë të ekonomisë, veçanërisht turizmin.
Mbyllja e aktiviteteve private si pasojë e komunikimit rrugor tejet problematik, shpjegon Konfindustria, po bën që vendi të zbrazet.
“Ka shenja të dukshme të paaftësisë dhe korrupsionit në përdorimin e burimeve buxhetore të mirëmbajtjes. Problematika të shumta paraqet edhe projekti i mirëmbajtjes së rrugëve i financuar me kredi të Bankës Botërore, që arrin në shumën prej 80 milion euro dhe që tashmë është shpenzuar në të paktën ¼ e tij. Dhjetra milionë euro të tjera çdo vit janë investime të buxhetit të shtetit për mirëmbajtjen e sistemit rrugor. Efektiviteti i ulët i financimeve si dhe korrupsioni i qartë në zbatimin e projekteve të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore bëhet edhe më i dukshëm dhe i papranueshëm me fillimin e sezonit turistik të vitit 2019”citon Konfindustria duke marrë si shembull të shpërdorimit të financimeve të mirëmbajtjes sipas saj, rrugën kombëtare Përmet – Çarshovë deri në kufirin shtetëror me Greqinë në më pak se 30 km gjatësi.
Mungesa e plotë e investimeve të mirëmbajtjes, thotë Konfindustria, shpërdorimet dhe korrupsioni i agjencive tenderuese dhe kontrolluese shtetërore ka sjellë, që rruga kombëtare e sipërpërmendur të jetë jashtë çdo standarti të lejueshëm, duke paraqitur rrezik të madh për aksidente.
“Sa më sipër, pothuajse ka ndërprerë qarkullimin e bizneseve dhe qytetarëve në një pjesë të madhe të të gjithë Shqipërisë Juglindore si dhe në lidhjet me shtetin fqinj. Industria e turizmit, si një nga kryesorët e zonave në fjalë për mbijetesën e banorëve, por edhe sektorë të tjerë të ekonomisë janë vënë në kushte tepër të vështira dhe rrezikojnë mbyllje aktiviteti me pasojë shtim dramatik të largimit të banorëve. Gjithashtu, gjëndja e papranueshme e rrugës kombëtare Përmet–Çarshovë si kufi hyrës me BE godet rëndë dhe imazhin e Shqipërisë në tërësi para vizitorëve dhe bizneseve të huaja. Gjendje e vështirë paraqitet edhe në rrugën Kavajë-Rrogozhinë, një nga më të të rëndësishmet e vendit, ku cilësia e dobët e punimeve të ndërtimit jashtë standarteve të lejueshme si dhe mungesa e punimeve mirëmbajtëse po çon me shpejtësi në rrezikun e shkatërrimit të plotë”- shprehet shoqata e biznesit.
Konfindustria kërkon marrjen e masave të menjëhershme në rishikimin e strategjisë së mirëmbajtjes së rrugëve, efektivitetit dhe kontrollit të përdorimit të fondeve buxhetore, kredive të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe marrjen e masave ndëshkuese për shfaqjet e qarta sipas saj të paaftësisë, subjektivizmit dhe korrupsionit të agjencive shtetërore përkatëse si dhe ndëshkimit të kompanive zbatuese, që nuk përmbushin detyrimet ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




