Analize

Rruga drejt BE kalon nga burgu dhe Rama e Zaev këtë e dinë!

Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se integrimi kalon nga dyert e burgut dhe Zoran Zaev dhe Edi Rama e kanë kuptuar, por secili ka ndjekur rrugën e tij.

Franca tregoi të enjten nuk do të “bëjë një sy qorr” ndaj problemeve të korrupsionit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke vendosur se deri në mars të 2020-s, të dyja vendet duhet të tregojnë fakte se reformat e ndërmarra kanë dhënë rezultat. Deri atëherë për Parisin nuk duhet të hapen negociatat.

Në kushtet kur Shqipëria ndodhet në krizë të rëndë politike dhe në Maqedoninë e Veriut drejtësia ka dështuar, mundësia më e mirë e kryeministrave Zoran Zaev dhe Edi Ramës për të marrë “dritën jeshile” duket kapja e “peshqve të mëdhenj”. Ky është çelësi për hapjen e negociatave dhe qeveritë në Tiranë dhe Shkup këtë e dinë.

Ky mesazh duket të jetë një “vath në vesh” sidomos për Shqipërinë, ku Reforma në Drejtësi duket të jetë drejt fundit. Si SHBA-ja ashtu edhe Bashkimi Europian kanë paralajmëruar prej kohësh se me përfundimin e kësaj reforme, duhet të fillojë edhe hetimi ndaj “peshqve të mëdhenj”, për t’i hapur rrugën më pas integrimit europian.

Shqipëria nuk ka dënuar deri më tani asnjë zyrtar të lartë. Pas sinjaleve negative nga BE-ja mbi negociatat, së fundmi, kryeministri Zoran Zaev ka nisur hetimet ndaj një figure të njohur të partisë së tij.

Deputetja Frosina Remenski, Gazeta Si, 11 tetor 2019

Prokuroria Speciale, një strukturë e ngjashme me SPAK-un shqiptar, ka nxjerrë para gjykatës të enjten një zyrtare të lartë të Partisë Socialdemokrate në pushtet. Deputetja Frosina Remenski po hetohet për një skandal të madh korrupsioni së bashku me biznesmenin Bojan Jovanovski, pronar i një televizioni të njohur në vendin fqinj.

Remenski, nënkryetare e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, akuzohet se ndihmoi Jovanovskin të fitonte në mënyrë korruptive një tender prej gati një milion eurosh për ndërtimin e një qendre strehimi për të moshuarit. Por kjo qendër nuk është ndërtuar ende, duke bërë që nënkryetarja e parlamentit të akuzohet për pastrim parash, mashtrim dhe korrupsion.

Kryeministri Zaev doli në një deklaratë përpara nisjes së seancës gjyqësore duke u shprehur se partia e tij do të përjashtonte nga partia të gjithë politikanët që vihen nën hetim, derisa emri i tij/saj të pastrohej në gjykatë. Ky duket të jetë edhe një sinjal se kreu i vendit fqinj është i gatshëm t’u hapë rrugën hetimeve ndaj zyrtarëve të partisë së tij, në emër të integrimit në BE.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Gazeta Si, 11 tetor 2019

Në Shqipëri, rasti i vetëm i hetimit të një zyrtari të lartë ishte ai i ish-ministrit të Brenshëm, Saimir Tahiri, i cili u cilësua shpesh si “peshku i parë” për integrimin. Por pas një gjyqi maratonë, ai u dënua me shërbim prove për tri vite. Ish-ministri u lirua po ashtu nga akuzat për trafik lëndësh narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, një lajm që nuk i shpëtoi as syrit të mediave europiane, të cilat shkruanin se "Shqipëria liroi Tahirin një muaj para vendimit për negociatat".

Një sinjal i qartë se Tahiri nuk “duhet t’ia hidhte” erdhi edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila e cilësoi dënimin vetëm për shpërdorim të detyrës, si zhgënjyes. “Dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin, duhet të përballen me pasoja domethënëse”, thoshte Ambasada përmes një reagimi në rrjetet sociale.

Pasi Brukseli bëri të qartë kështu se integrimi nuk ka lidhje vetëm kushtet e negociatave, të gjithë në Tiranë menduan se Tahiri do të ishte “peshku” i parë i madh.
“Sot dalin dhe thonë se po pengoj unë integrimin e Shqipërisë në Europë. Unë nuk besoj se u çmendën dhe të huajt sa të mos e vrasin mendjen për drejtësi dhe për ligj, por duan “kurban” njerëzish për të shkelur në Europë. Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaronte në maj të 2018, Saimir Tahiri.

Kjo deklaratë e tij mbërrinte në kulmin e akuzave të opozitës, që thoshte se pa ndëshkimin e tij në burg, nuk kishte hapje negociatash për Shqipërinë. Sërish rastësi, apo jo, por sa herë që në Tiranë ndizej debati i negociatave, ndizej edhe procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Zoran Zaev dhe Angela Merkel, Gazeta Si, 11 tetor 2019

Xhemal Ahmeti, një ekspert për çështjet politike në Ballkan, thotë se vendet e Ballkanit janë të korruptuara, po aq sa edhe Nigeria apo ndonjë vend tjetër i Afrikës. “Elitat gjithmonë kanë bërë përpjekje për ta bindur popullin se ‘ata janë akuzuar gabimisht për korrupsion nga perëndimorët”, thotë Ahmeti. “Prandaj, vëzhguesit e BE dhe vëzhguesit ndërkombëtarë në Maqedoni nuk do të kenë sukses në luftën kundër korrupsionit pa largimin e këtyre liderëve”, përfundon ai.

Pavarësia e sistemit gjyqësor është jashtëzakonisht e rëndësishme në procesin e integrimit europian dhe ka qenë një nga prioritetet kryesore për hapjen e negociatave të pranimit, jo vetëm të Maqedonisë se Veriut, por edhe Shqipërisë. BE-ja mbështeti në Shqipëri reformën më radikale, duke kërkuar vetting të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, një nismë që është mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të Unionit, pavarësisht se vendi ynë nuk ka marrë ende hapjen e negociatave.

Si Shqipëria, ashtu edhe vendet e tjera të rajonit pritet të përmbushin standardet politike, si kërkesa themelore për t’u integruar në BE. Megjithatë, BE-ja po bëhet gjithnjë e më e shqetësuar nëse vendet e Ballkanit mund t’i përmbushin këto standarde, pasi korrupsioni është i ngulitur si në jetën shoqërore ashtu edhe sferën politike të rajonit.

Cornelia Abel, eksperte e Europës Juglindore, thotë se përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin megjithatë nuk duhet të ndalen, pasi anëtarësimi i Ballkanit në BE u shërben interesave gjeostrategjike të të dyja palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë