Nga Gazeta ‘Si’- Kryenegociatorja për Integrimin Majlinda Dhuka ka deklaruar se Shqipëria ka gati një paketë nismash ligjore përsa i përket jo vetëm zhvillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por edhe mbylljes së tyre.
“2026 është vit vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane. Shqipëria ka një plan sa i takon punës përgatitore, në drejtim të mbylljes së procesit të negociatave, në fakt edhe për këto 12 nisma ligjore. Ne jemi në mënyrë sistematike në komunikim me Komisionin Europian dhe Delegacionin e BE-së që na rekomandojnë përmirësime për ligjet më të mira të standardit europian”, tha kryenegociatorja Dhuka.
Ajo tha se nismat ligjore përveç çështjeve të zbatimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit, kanë një fokus edhe parandalimin e krimeve të lidhura me drogën, madje me përdorimin e saj për të “mbështetur individët që përballen me këtë luftë”.
Paketa mban një numër masash për të forcuar rolin e institucioneve të drejtësisë, integritetin në Këshillin e Lartë Gjyqësor por dhe forcimin e kapaciteteve për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
“Prandaj ky vit është kaq i rëndësishëm për rritjen e maturitetit politik të nismave dhe të Kuvendit, për t’i përjetësuar ato dhe për t’i dhënë mjete të mira institucioneve në zbatimin e ligjit.”, tha Dhuka.
E pyetur se kur do të mbyllen negociatat me BE, Dhuka nuk tha afate kohore, duke thënë se “kjo nuk është çështje kohe, por çështje vlerësimi. Komisioni Europian duhet së pari të certifikojë progresin e Shqipërisë”.
Në të njëjtën konferencë të përbashkët, ministrja Adea Pirdeni deklaroi se një nga këto nismat lidhet me sponsorizimin e donacioneve.
“Një është projektligji për sponzorizimin e donacioneve që për herë të parë rregullon mënyrën e transparencës së donacioneve, adreson në mënyrë tërësore çështjet e lidhura me sponsorizimet që synon të mbështesin iniciativa me interes publik në fushat sociale, të sportit e kulturës. Ndaj vjen si nismë e përbashkët me Ministrinë e Kulturës”, tha ajo duke shtuar se ketë një “regjistër publik transparence të çdo donacioni që bëhet ndaj institucioneve publike”.
Ndërsa ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, teksa foli për paketën me 12 ligje për integrimin e vuri theksin tek roli i medias dhe drejtësia sociale. Ai u shpreh se nëpërmjet ligjit për mediat audiovizive do të rritet transparenca.
“Ky ligj, ka të bëjë me transparencën drejtpërsëdrejti të platforma televizive, ku kuptohet, publiku është i interesuar të dijë pronësinë, cilët qëndrojnë pas tyre. Vitin e kaluar bëmë në parlament një punë të paimagjinueshme sa i përket edhe dezinformimit. Fuqizimi i medias do vijë përmes këtij ligji, por ka të bëjë me rolin tuaj, mbrojtjen e gazetarëve në misionin jetik për demokracinë dhe ka të bëjë me dekriminalizimin e shpifjes. Do jenë tërësisht të çliruar nga barra e shpifjes, kur bëhet teksa përpiqeni të pasqyroni zhvillimet e fundit”, tha ai.
Sa i përket drejtësisë sociale, ai tha se do të fuqizohet mekanizmi referues dhe ndërhyrës.
“Janë dy gurë themeli që kanë të bëjnë me rolin e medias dhe drejtësisë sociale, ku familjet, zonjat, gratë, fëmijët do të jenë më të mbrojtur në të gjithë aspektet e jetës së tyre”, tha ai.
Ai u shpreh se pjesë e paketës ligjore janë edhe dy ligje që forcojnë luftën kundër narkotikëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



