Nga Gazeta ‘SI’ – AKEP ka hapur zyrtarisht garën për dhënien e frekuencave të teknologjisë 5G.
Për brezin e frekuencave 3400-3800 MHz, AKEP parashikon dhënien e 5 të drejtave të përdorimit. Sipas rregullores së garës, një ofertues i vetëm nuk mund të për fitojë më shumë se tre të drejta përdorimi ose 160 MHz sasi spektri në total. Në teori, procesi krijon hapësira edhe për hyrjen e operatorëve të rinj në tregun celular.
Ofertat do të pranohen deri më 17 tetor të këtij viti.
Në rast se prokurimi rezulton i suksesshëm, buxheti i shtetit do të përfitojë rreth 12.7 mln euro.
Kriteri i vetëm i vlerësimit për përcaktimin e ofertave fituese do të jetë çmimi i tyre. Rregullorja e tenderit parashikon që çmimi i ofertës mund të paguhet me dy këste, përkatësisht kësti i parë prej 50% brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit të fituesit dhe kësti i dytë prej 50 % brenda gjashtë muajve nga dhënia e Autorizimit Individual.
Kushtet e tenderit kërkojnë një mbulim të 55% të popullsisë me shërbime 5G brenda vitit 2027 dhe 85% të popullsisë brenda vitit 2030. Për sa i përket kushteve të mbulimit të territorit, rregullorja e garës kërkon mbulim me shërbime 5G në brezin e autorizuar (pjesë e spektrit 3.4 GHz – 3.8 GHz), deri në fund të vitit 2025 në portet Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë, Porto Romano, aeroportet e Tiranës, Kukësit dhe Vlorës, zonën industriale Tiranë – Durrës dhe Qendrat Spitalore të Tiranës.
Ndërkohë, afati për shtrirjen e shërbimeve 5G në të gjitha qytetet e Shqipërisë do të jetë viti 2028.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.