Kryeministri Edi Rama tha se rrjedhja në publik e të dhënave personale për pagat të 637 mijë qytetarëve me gjasë është një ndërhyrje e brendshme dhe jo sulm kibernetik i jashtëm.
“Prokuroria të hetojë inspektorët e Tatimeve, ata që punojnë aktualisht dhe të tjerë që mund të kenë qenë në punë në periudhën e marrjes së këtyre të dhënave. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje që ngjan si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtë në formën e një sulmi kibernetik”, deklaroi Kryeministri.
Rama doli në një konferencë për shtyp i shoqëruar nga drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ai tha se publikimi i këtyre të dhënave po përdoret politikisht nga opozita për të nxitur trazira në vend.
“Nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim për të krijuar konfuzion dhe nxitur destabilitet. Ka një përpjekje, duke pasur parasysh edhe deklaratat e bëra në foltoren e kuvendet e antikuvendet, që nuk do të jetë as e fundit. Prokuroria të hetojë dhe ata që nga foltoret e kuvendet dhe antikuvendet paralajmërojnë zymtësira të tjera”, tha Rama.
Sipas kreut të Qeverisë, të dhënat që po qarkullojnë nuk janë ato që përpunohen në sistemet e AKSHI-it, por një miklim i tyre dhe për të përforcuar idenë se po përdoren për destabilitet ngriti pikëpyetje edhe për kohën e zgjedhur për t’i publikuar këto të dhëna.
“Këto të dhëna kanë qarkulluar prej muajsh dhe ka të dhëna që janë të vjetra. Nuk janë të gjithë të punësuarit në Shqipëri. Aty mungojnë rreth 60 mijë vetë. Pra nuk është databaza e marrë në janar, sepse nuk do të kishte rekorde të vjetra. Rroga e Fevziut për shembull nuk dilte. Pse zëdhënës të grata non grata paralajmërojnë se do të publikohen edhe të tjera?! Është dorë qartësisht në kërkim të destabilizimit në sensin e pasigurisë publike. Është për të krijuar konfuzion dhe nxitur armiqësi mes njerëzve dhe nesh”, tha ai.
Rama tha se vetë e kishte shumë të qartë se përse bëhej kjo tani, por nuk e shtjelloi më shumë këtë pjesë, duke thënë se ishte i gatshëm ta dëshmonte në prokurori, jo publikisht.
“Për mua është shumë e qartë. Unë e kam një ide, por t’ua bësh këtë njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi, apo çelësin nga brava, apo se je bërë xheloz që ke mbetur jashtë dyerve me bravë e çels, mund të tregojë se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë”, vijoi ai.
Kryeministri tha se ky skandal ka shumë ngjashmëri me atë të patronazhistëve dhe nënkuptoi se hetimi i çështes së patronazhistëve, që u mbyll nga SPAK me argumentin se nuk kishte vepër penale, mund të shërbejë edhe për hetimin e këtij rasti.
Kryeministri përjashtoi nga përgjegjësia AKSHI-n dhe drejtuesen e kësaj agjencie dhe u shpreh se ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në SHBA, Rusi, Kanada e vende të tjera dhe siguria e të dhënave është sfidë e kohës.
Rama tha se sistemi është ngritur para 2013-s me ndihmën financiare dhe burimeve njerëzore të një vendi të Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.