Ndryshimi vjetor i çmimeve në dhjetor ishte në nivelet minimale, jo normale për sjelljen konsumatore shqiptare në një fundvit kur shpenzimet janë më të mëdha për shkak të festave.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2020, arriti 108,2 kundrejt muajit Dhjetor 2015. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2020 është 1,1 %, i njëjtë si një vit më parë. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2020, krahasuar me Nëntor 2020 është 0,3 %.
Por, rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2020 është 1,6 %, më e lartë ngase ishte në vitin 2019 (1,4%). Megjithatë ende shumë larg objektivit të Bankës së Shqipërisë 3%.
Të dhënat tregojnë se pasiguria që ngjalli tek qytetarët pandemia COVID-19 u reflektua në një konsum të dobët. Megjithatë frika dhe pasiguaria nga tërmeti reflektoi më shumë në konsum një vit më pare se sa pasiguria nga pandemia.

INSTAT shpjegon se rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,95 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Negativisht kanë kontribuuar Çmimet e grupit “Transporti” “Shëndeti”.
Kurse krahasuar me muajin Dhjetor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 %. Krahasuar me muajin Nëntor 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 0,7 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Transporti” me 0,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,2 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




