Nga Gazeta ‘SI’ – Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 2.7% gjatë tremujorit te parë 2023, krahasuar me një vit më parë. Rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe është orientuar nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme, 0.62 pikë përqindje dhe aktiviteti i arteve dhe argëtimit me 0.6 pikë përqindje. Kontributi i tyre i lartë vjen pas një hovi të shpejtë zhvillimi si në tregun imobiliar vendas dhe në organizimet argëtuese dhe artistike, kryesisht në kryeqytet.
Renditja vazhdon me administratën 0.53, akomodimin dhe shërbimin 0.5, ndërtimin 0.42 dhe në fund fare bujqësia me 0.11.
Ndikim negativ në PBB-në e vendit gjatë kësaj periudhe ka pasur grupi i taksave, me rënie 0.4 pikë përqindje.
Sipas degëve të ekonomisë, rritjen më të madhe e ka shënuar grupi i arteve dhe argëtimit plus “aktivitete të tjera shërbimi” me 32% rritje, por Instat nuk e përcakton se cilat aktivitete bëjnë pjesë në të. Lista ndiqet nga tregu imobiliar, me 11% rritje, akomodimi dhe shërbimi ushqimor 6.3%, aktiviteti financiar dhe sigurimet 5.2%, arsimi dhe shëndetësia me 5%. Ndërtimi me 4.5%, tregtia dhe transporti me 3.5% dhe bujqësia përsëri në fund me 0.04%.

Në rënie raportohet grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbimeve administrative me -2.4% dhe taksat neto me -2.8%.
Edhe në raport tremujorësh, fundi i 2022-shit me fillimin e 2023-shit, rritjet dhe rëniet kanë të njëjtat tendenca.
Sipas metodës së shpenzimeve, konsumi final i popullatës, kryesori i PBB-së, u rrit me 3%, konsumi final i qeverisë me 4.34% dhe komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks (shpenzimet e bëra për të rritur prodhimin) u rrit me 7%.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 8.28 %, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7.23 %.
Në vitet post-pandemisë, ekonomia e Shqipërisë është orientuar kryesisht nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitjet e pronave. Bujqësia përveçse nuk është më faturuesi më i madh në ekonominë shqiptare, ka mbetur në stanjacion, me një rritje pothuajse ekzistente. Rënia e taksave gjatë periudhës janar-mars 2023, lidhet me rënien e konsumit gjatë kësaj periudhe dhe përgjysmimin e të ardhurave nga TVSH-ja që ka kontributin kryesor. Rritja e PBB-së gjatë tremujorit të parë 2023, është më e ulëta që nga pandemia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



