Nga Gazeta Si- Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse dhe mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, si pneumoni, encefalopati dhe, në raste ekstreme, humbje jete. Pas rasteve me fruth në vendin tonë, por edhe në të gjithë Europën, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve. Përmes një video, ekspertja e shëndetit Publik Rovena Daja është shprehur se nevojitet mbulesë vaksinale mbi 95% për të evituar shpërthimet e fruthit. Sipas saj vaksina ndaj fruthit është e sigurt, efektive dhe nuk shkakton autizëm, duke hedhur poshtë teoritë e gabuara që qarkullojnë për të.

“Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse. Nevojitet mbulesë vaksinale mbi 95% për të evituar shpërthimet. Rastet e rritura në Shqipëri dhe Europë me fruthin lidhen me mungesën e vaksinimit. Prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre për shkak të teorive. këto janë teori të gabuara dhe kanë rënë poshtë nga të gjitha studimet në të gjithë botën. Vaksina ndaj fruth rubeolës është e sigurt, nuk shkakton autizëm dhe është shumë efektive”, thotë Daja.
Ekspertja e shëndetit publik bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve duke theksuar se pasojat nga kjo sëmundje mund të çojnë deri në humbje jete.
“Vaksinoni fëmijët tuaj se fruthi është shumë ngjitëse jep pneumoni, encefalopati dhe shkon deri në humbje jete”.
Vaksina për fruthin aplikohet në dy doza; e para në moshën 1 vjeç dhe e dyta në moshën 5 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.