Politike

Rritja e PS+PSD, tkurrja e të djathtës dhe përçarja brenda PD / Pse Benet Beci mori 11 mijë vota më shumë (shifrat krahasuese që nuk habisin)

Kur Elisa Spiropali i tha Bardh Spahisë që të mbante frymën dhe të përgatitej se rezultati në Shkodër do të ishte më i thellë se Kamza (e fituar me 10 mijë vota me shumë se rivali) shumëkush që nuk dinte ende se çfarë ngjyre do të kishte vota në kutinë e votimit, u habit.

Sigurisht Elisa Spiropali nuk e kishte një reagim të momentit apo një replikë të rëndomtë të natyrës politike.

Elisa Spiropali që drejtoi zgjedhjet në Shkodër në emër të PS-së prej muajsh i kishte bërë mirë llogaritë se pse Benet Beci do të fitonte bindshëm në Shkodër, (me 11 mijë vota diferencë). Dhe këtë rezultat me sa duket nuk e parashikoi as Bardh Spahia, i cili këto zgjedhje nuk çedoi në votat e fituara nga një vit më parë, duke marrë madje 2600 vota më shumë, nëse marrim votat si koalicion për të shto edhe votat e PR, PAA dhe Aleanca Liberale e Djathtë, që kishte deklaruar paraprakisht mbështetjen për emrin e tij.

Atëherë pse kjo diferencë e madhe mes dy kandidatëve?

Gazeta “Si” u ka hedhur një sy votave si subjekt politik që PD, PS, PSD (si forcë faktor në këtë bashki) kanë marrë në dy zgjedhjet e fundit; parlamentaret e 2021-shit me ato të sotmet, (sa kohë që në zgjedhjet e pjesshme të 2022-shit pati votim vetëm për kryetarin dhe jo për këshillat bashkiakë).

Referuar rezultatit zyrtar në këto zgjedhje, PS-ja ka marrë 17.963 vota, ndërsa PSD (aleatja e saj e kryesore në bashki) 12.908 vota.

Në zgjedhjet e 2021-shit, PSD si subjekt politik ka fituar 9808 vota ndërsa PS-ja 15.848. Nëse krahasojmë shifrat rezulton se PS në dy vjet ka rikuperuar me 2115 vota ndërsa PSD akoma më shumë me 3100 vota. Jo më kot në një intervistë televizive, pak para ditës së votimit, kryetari i PSD, Tom Doshi do të shprehej i sigurtë në fitore duke veçuar faktin se këto zgjedhje ata ishin 3 mijë vota më shumë. Të dyja bashkë (PS+PSD) këto zgjedhje janë rritur me 5215 vota.

Kalojmë te kampi tjetër, ai i PD-së, se çfarë ka ndodhur me të dhe koalicionin nga 2021 e deri më sot. Në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, PD ka garuar si aleancë duke marrë 29.893 vota.

Në zgjedhjet e fundit lokale ajo garoi sërish si aleancë, por e ndarë brenda saj dhe nga disa parti. Duke mbledhur votat si aleancë me Ilir Metën, koalicioni “BF” fitoi 13.177 vota. Nëse u futemi numrave, duke mbledhur edhe votat e PAA-së, PR-së, Aleancës Liberale të Djathtë, PLL dhe LZHK që zgjedhjet parlamentare ishin bashkë, e djathta (e pare ftohtë) rezulton me 17.564 vota aktualisht. Ende shumë larg nga rezultati prej 29 mijë votash i fituar në 2021-shin. Këtu nuk llogarisim LSI-në që garoi veçmas si forcë politike në 2021 me 7880 vota

Edhe sikur të mbledhim votat aktuale si koalicion “BF” plus aleatët e deklaruar (lokalet 2023) me atë të PD-së zyrtare drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithsej numrat për të djathtën këto zgjedhje në Shkodër janë 22975 vota.

Vetëm PS+PSD në këto zgjedhje kanë fituar 30.871 vota, automatikisht votë edhe për Benet Becin. Por ky i fundit si kandidat mori 3660 vota më shumë nga vetë votat e dy partive bashkë. Ku i gjeti? Ka disa faktorë në këtë rast. E para; vetë e djathta në Shkodër (nisur nga rezultati më sipër) është zvogëluar konsiderueshëm në vota duke mos e ndihmuar që të rritet Bardh Spahinë. E dyta; ndarja e votës brenda PD-së.

PD-ja zyrtare ka marrë 5670 vota, 2079 vota më pak nga votat që mori kandidati i Lulzim Bashës në zgjedhjet e pjesshme Xhemal Bushati me 7749 vota. Që do të thotë se ka firuar në vota jo vetëm pjesa e PD-së që mbështet Sali Berishën bashkë me aleatët por edhe vota për PD-në zyrtare.

Duke marrë parasysh edhe faktorin tjetër se kryetari i PD-së së Shkodrës ka bërë thirrje që vota të mos shkojë për Bardh Spahinë por vetëm për këshillat bashkiake, lind pyetja: këto 5670 vota për PD-në zyrtare për cilin kandidat kanë shkuar? Me një llogaritje të thjeshtë pragmatiste vota është ndarë, disa për Bardh Spahinë (sa kohë që vota për të (22.804) është më e madhe se koalicioni “BF” dhe aleatët e deklaruar pro tij) dhe një pjesë presupozohet për kandidatin tjetër Benet Becin.

Këtij faktori i shtohet edhe llogaritja e votave e atyre partive të padeklaruara publikisht as me njërën dhe as me tjetrën. Ato (në këto zgjedhje) janë katër; LZHK, PDS, FRPD dhe PDIU. Vota e tyre për këshillat e mbledhur bashkë është 2634 votues. Dhe vota fluide në këtë rast për njërin apo tjetrin kandidat ka luajtur rolin e vet, pavarësisht se sa.

Ndaj dhe e gjithë skema e votave sa më sipër nxjerr disa të vërteta të pamohueshme.

E para, se PS-ja punoi fort që të rritej në votë, (shifrat e tregojnë) PSD po ashtu. E dyta, se e djathta ‘punoi’ fort që të ulej në votë duke u zvogëluar konsiderueshëm. E treta se përçarja brenda PD-së gjithashtu luajti rol.

E katerta puna e vetë kandidatit me secilin prej garuesve për këshillat bashkiakë që në qytete si Shkodra luajnë rol jo të vogël.

Dhe e fundit, por e rendesishme roli i LSI apo PL se Ilir Metes.

Nisur nga votat rezulton se vota e Ilir Metës në Shkodër kësaj here nuk ka pasur ndikim. Ndryshe mund të thuhet për ish-deputetin e tij, Agron Çela, i larguar tek PS-ja. Votat e rritura për PS kaq afër në kohë, mund të cojnë edhe tek ai.

Ndaj dhe vota për Benet Becin nuk sjell aspak çudi dhe nuk duhet parë si e tillë. /n.p


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë