Nga Gazeta Si - U bë gati një muaj prej kur artistët e Teatrit Kombëtar bënë publike kërkesën e tyre për rritje pagash në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama e ministres së Kulturës Elva Margariti, njësoj siç u veprua me Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Pas letrës publike, ku theksuan se do të prisnin reagimin e qeverisë deri më 31 gusht, artistët janë të bindur se do t’i shkojnë kësaj beteje deri në fund, duke u zotuar se do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre.
Aktori Neritan Liçaj shprehet për Gazetën “Si” se rritja e rrogave të artistëve të TKOB është një akt i ndërmarrë nga kryeministri dhe për pasojë nuk presin shumë nga ministrja Margariti.
“Nuk mendoj se do të marrim një përgjigje nga ministrja, sepse ministrja e Kulturës, për fat të keq, është inekzistente. Është një ministre të cilës iu prish Teatri Kombëtar dhe nuk bëri asgjë, pra nuk mund të pretendojmë shumë nga një ministre që është inekzistente, nuk ka asgjë në dorë, më saktë nuk do të ketë në dorë sepse po të dojë ajo ka shumë në dorë. Gjithçka varet nga kryeministri, edhe për faktin se ishte një VKM a një urdhër normativ i kryeministrit, për rritjen e pagave vetëm për artistët e Operës”, shprehet aktori Liçaj për Gazetën “Si”.
Liçaj thotë më tej se “ne kemi hartuar në një lloj mënyre një strategji tonën, për të arritur qëllimin që kemi”.
Për aktorin Arben Derhemi kërkesa për rritje pagash është gjëja më normale për sa kohë bëhet fjalë për dy institucione shtetërore arti.
“Është gjëja më normale që një aktor të firmosë për ngritjen e rrogës, ndërkohë që institucionit tjetër kombëtar të Operës i është ngritur rroga”.
Arsyeja e kërkesës sipas Derhemit lidhet me sasinë e punës dhe numrin e spektatorëve në raport me Operën.
“Arsyeja që ne e kemi kërkuar ka të bëjë me atë që ne kemi pasur dyfishin e punës dhe trefishin e spektatorëve në krahasim me Operën, kështu që na lind e drejta legjitime të kërkojmë të njëjtën ngritje, aq me tepër që këta dy institucione janë të vetmet kombëtare”, shprehet aktori Derhemi për Gazetën “Si”.
Aktori Neritan Liçaj thotë se veprimi i kryeministrit në këtë rast është diskriminim dhe sipas tij aktorët do të ndërmarrin veprime të mëtejshme duke vënë në lëvizje si institucionet shqiptare, ashtu edhe ato ndërkombëtare.
“Kjo është një betejë institucionale, kemi të bëjmë me një diskriminim të pastër nga një funksionar shumë i lartë i shtetit siç është kryeministri dhe sigurisht ne kemi ndërtuar një strategji tonën, duke u përpjekur që të vëmë në lëvizje institucionet si shqiptare edhe ato ndërkombëtare, në mënyrë që ky diskriminim ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar, por edhe ndaj entiteteve të tjera kombëtare të artit shqiptar të marrë fund. Strategjia do jetë shumë e thjeshtë; do ju drejtohemi institucioneve me një letër të hapur, sigurisht edhe kryeministrit, duke filluar nga Presidenca, e cila është mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Parlamentit po ashtu. Më tej do u drejtohemi ambasadave me një letër të hapur, Këshillit të Europës, Komisionerit për Diskriminim”, sqaron Liçaj për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “kjo ka që ka bërë kryeministri është një vepër e rëndë penale, d.m.th diskriminimi nga një funksionar shumë i lartë i shtetit ndaj grupeve shoqërore përbën një vepër penale. Një nga të drejtat e njeriut është të mos jesh i diskriminuar, është në Kushtetutë kjo gjë”.
Ai sqaron më tej se e gjithë kjo është një nismë e trupës artistike dhe trupa kësaj here është më e bashkuar se kurrë.
“Kjo nismë është e aktorëve dhe sigurisht trupa është shumë më kompakte sepse kur vjen puna te diskriminimi i një grupi të tërë, aq më tepër aktorë të teatrit kombëtar që hyjnë tek elita e një kombi, atëherë çfarë presim për shtresa të tjera shoqërore, kështu që ndjeshmëria është jashtëzakonisht e madhe. Jemi vetëm artistët në këtë betejë, administrata nuk është e përfshirë, apo edhe drejtori nuk ka të bëjë, pasi është funksionar shteti që varet nga Ministria dhe Kryeministria”.
Për aktorin Liçaj, nuk është vetëm Teatri Kombëtar dhe aktorët të lënë pas dore nga shteti shqiptar, por janë të gjitha institucionet e artit në Shqipëri.
“Të gjitha institucionet e artit në vendin tonë janë të lëna pas dore. Dy teatro kombëtarë u prishën, Çadra e Cirkut nuk ekziston më, Biblioteka në kohën e Rilindjes është djegur e është përmbytur. Ne jemi të sulmuar politikisht nga maxhoranca, pasi është një kryeministër anti-art”, shprehet Liçaj, ndërsa shton se “beteja do të jetë e hapur dhe e fortë. Kryeministri për këtë çudi të fundit që ka bërë do ketë një betejë shumë të fortë”.
Në letrën e 18 korrikut që u firmos nga aktorët më në zë si Arben Derhemi, Laert Vasili, Neritan Liçaj, Elia Zaharia, Naun Shundi e Ndriçim Xhepa, etj. u vu theksi te fakti që kjo trupë ka mbushur sallat e Teatrit para pandemisë dhe po i mbush sërish edhe tani pas pandemisë.
“Në mënyrën se si funksionon dhe si është ndërtuar sistemi i pagave, këto institucione janë vlerësuar gjithmonë brenda një kuadri ligjor. Në këtë rast, me ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave, kjo gjë ndryshoi dhe TKOBAP kategorizohet në një system të ri pagash, kurse TK jo! E papranueshme! Ende nuk është dhënë një shpjegim publik për këtë”, thuhej në letrën drejtuar Ramës dhe Margaritit.
Për rritjen e pagave të artistëve të Operës, ministrja e Kulturës, Elva Margariti do të deklaronte se kanë përfituar 381 artistë e punonjës të TKOBAP.
“Ashtu siç e kishim premtuar kohë më parë, bashkë me rinovimin e ambienteve të këtij teatri vjen edhe rritja e pagave. Në bazën e këtij vendimi janë 190 artistë të këtij institucioni që përfitojnë një rritje page nga 46 deri 59% dhe 191 punonjës ata të cilët do të kenë një rritje deri në 15%”, do të theksonte Margariti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.