Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar vijoi rënien edhe në tremujorin e dytë të këtij viti duke u ulur në nivelin 17.59% nga 18.1% që ishte në fund të tremujorit të parë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues është më i ulët krahasuar me mesin e vitit të kaluar por megjithatë ai ngelet mbi kërkesat minimale bazë të përcaktuara në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të peshuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Rënia e tij në tremujorët e fundit i detyrohet kryesisht zgjerimit të kreditimit nga sektori bankar. Statistikat e BSH-së tregojnë se portofoli i kredisë në fund të muajit qershor ishte në rritje vjetore me afërsisht 6%.
Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të muajit mars arriti në 883 miliardë lekë, rreth 22 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e tremujorit të parë. Edhe krahasuar me mesin e vitit të kaluar, vlera e aktiveve me rrezik shënon një rritje me 5.3%.
Nga ana tjetër, vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në rreth 158.5 miliardë lekë, rreth 2.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me tremujorin e parë dhe pothuajse shtatë miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, si për shembull ato me kapital grek, kërkesa gjatë viteve të krizës ka qenë edhe më e lartë.
Nga fillimi i këtij viti, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1%, në varësi të bankës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




