Në mbledhjen e sotme të Komitetit për vlerësimin e situatës epidemiologjike në Kosovë është diskutuar për vendosjen e mundshme të masave të reja anti-Covid.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se janë duke biseduar për masa të reja kufizuese, ku po shqyrtohet mbyllja e lokaleve në orën 22:00.
Latifi deklaroi se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike.
“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve, COVID-it. Do të jenë në proporcion me nevojat për zhvillimin e fëmijëve në shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur”, deklaroi Latifi.
Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, por këtë do ta vendosim bashkërisht të gjithë. Do ta dorëzojmë në Qeveri sot pasdite, ose nesër në mëngjes”.
Rishqyrtimi i masave anti-COVID vjen pas rritjes së madhe të rasteve me Covid-19.
Siç ishte paralajmëruar, në këtë takim ishte planifikuar diskutimi i mundësisë për vendosjen e masave të reja pas rritjes të infektimeve.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shteti ka interesim që t’i mbajë shkollat hapur, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive te fëmijët.
Ajo ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim.
Rritja e numrit të nxënësve të infektuar me koronavirus ka bërë që disa shkolla në vend të kalojnë në skenarin C të mësimit, atë online.
Deri tani në Prishtinë në mësimin online kanë kaluar shkollat fillore “Ismail Qemali”, “Faik Konica”, dhe në Gjakovë tri shkolla “Yll Morina”, Shkolla e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” dhe Shkolla e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.
Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, duke e vazhduar trendin ngritës. Aktualisht janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19.
Aktualisht në Kosovë vlejnë masat kufizuese të ndërmarra gjatë vitit 2021, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 vlen ora policore, ndërsa, nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy dozat kundër Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.