Pas ndeshjes Everton-Manchester City, që u shty për shkak të pozitivitetit të disa lojtarëve, në vijim mund të pezullohen të gjitha ndeshjet e kampionatit anglez. Premier League është një nga kampionatet më të veçanta për faktin se luhet edhe gjatë festave të fundvitit pa ndalesë, por kësaj here tradita mund të ndryshojë.
Sipas mediave angleze, Federata po mendon që për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve në radhët e klubeve, sezoni të ndalet për dy javë në muajin janar, që t’u japë kohë lojtarëve të infektuar të kthehen si dhe të izolohen skuadrat për të evituar që të bëhen përsëri vatra.
Gjatë testimeve të fundit, 18 persona mes lojtarëve dhe stafit të klubeve në Premier League rezultuan pozitivë, në atë që ishte shifra rekord që kur filluan testimet dhe u bënë të detyrueshme në muajin gusht. Klubet kanë bërë diskutime gjatë ditëve të fundit dhe po mendohet seriozisht që të ndalet gjithçka, përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Ligës apo FA Cup, si masë paraprake për të mbrojtur lojtarët dhe stafet e ekipeve nga një situatë që po bëhet e rrezikshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




