Ekonomi

Rritja e ekonomisë së Shqipërisë u ngadalësua gjatë 2023-shit

Nga Gazeta 'SI' - Rritja e PBB-së së Shqipërisë u ngadalësua gjatë vitit 2023, raporton INSTAT.

Sipas rishikimit të fundit gjysmëfinal, ekonomia u rrit me 3.94% përgjatë vitit të shkuar (fillimisht ishte raportuar 3.45%), ndërsa në vitin 2022 ajo ishte rritur me 4.83% (para rishikimit 4.86%).

PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua 2.369.906 milion lekë, 2.149.741 milion lekë për vitin 2022.

Shërbimet kishin peshën më të madhe në ekonomi përgjatë 2023-shit, me 47.96% me një rritje prej më shumë se 8%, ndjekur nga industria dhe ndërtimi me 23%, por industria përjetoi një rënie me 2.4%, ndërsa ndërtimi u rrit me 8.3%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 16.22% të PBB-së, por raportojnë një rënie rreth 2%.

Sipas PBB-së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi me 82.25%. Ky komponent u rrit me 8.73% në terma nominalë dhe 3.19% në terma realë.

Konsumi final i popullatës zë 69.64% të konsumit final, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12,05% dhe konsumi i institucioneve në shërbim të familjeve (NPISH-eng) me 0,57%.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 14.59% në terma nominalë dhe me 9.45% në terma realë, ndërkohë Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1.72% në terma nominalë dhe me 0.21% në terma realë, krahasuar me vitin 2022.

INSTAT njofton se rishikimi i PBB-së është bërë me anë të metodologjisë së koordinuar me BE-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë