Gazeta Si- Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa shqetësime të bëra publike për rritjen e çmimit të patentave, ka kërkuar informacion nga DPSHTRR për marrëveshjen e bërë me përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”) mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti.
“Autoriteti ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, shkruhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurencës duke shtuar se ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.
Disa ditë më parë, Blendi Gonxhja, drejtori i DPSHTRR tha se çmimi i patentës do të dyfishohet dhe do të jetë 85 mijë lekë.
Gonxhja ka sqaruar se programi do të vazhdojë të jetë i njëjtë dhe rritja e çmimit vjen për të bërë një rimëkëmbje tregu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.