Treg

Rritja e çmimit të naftës, Unioni i Transportit Publik: Nga sot punojmë me gjysmë të kapacitetit të autobuzëve

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik kanë vendosur që duke nisur nga dita e sotme, të operojnë me gjysmën e kapacitetit të mjeteve urbane. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Unioni i Transportit Publik thotë se shkak për këtë vendim është bërë kriza që po kalon ky sektor, fillimisht prej pandemisë e më tej me rritjen e çmimit të naftës, largimit të stafit dhe mosreagimit nga institucionet përgjegjëse për plotësimin e kërkesave ekonomike të premtuara.

“Të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane”, njofton Unioni.

Ata kanë vendosur të marrin masa të tilla “pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qendrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori”.

Njoftimi përkon edhe me nisjen e vitit akademik, ku universitetet i frekuentojnë rreth 22 mijë studentë, dhe një pjesë e mirë e tyre përdorin linjat e transportit publik.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka reaguar pas mesdite duke thënë në një njoftim se po ndjek situatën dhe po merr masat përkatëse, konform kontratës me operatorët e transportit.

Një njoftim që nuk shpjegon se çfarë masash po merren dhe si do të reagojë Bashkia kundrejt një “proteste” të pa komunikuar më parë.

Bashkia nuk ka dhënë gjithashtu asnjë detaj se si do të rregullojë transportin publik dhe si do të jenë ditët në vijim për qytetarët që e përdorin.

Më herët, Shoqata e Transportit Publik tha për Gazetasi.al se është në proces përpunimi të të dhënave dhe do të dalë në një deklaratë për median ku do të sqarojnë oraret e reja që do të lëvizin autobuzat ndërkohë që nuk pranoi kategorikisht të jepte qoftë dhe ndonjë detaj më shumë rreth këtij vendimi.

Përgjysmimi i autobuzave u njoftua disa orë pasi stacionet ishin mbushur me njerëz që prisnin të vinte autobuzi tjetër sepse ai i radhës ishte tejmbushur.

“Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve”, shkruan Unioni i Transportit Publik në njoftimin e përgjysmimit të autobuzëve, mirëkuptim që duke parë nervozizmin e qytetarëve në stacionet e urbanëve duket se nuk e kanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë