Përfaqësues të shoqërisë civile kanë njoftuar një protestë në kryeministri në orën 17.00 për rritjen e çmimit të naftës.
Ai që ka shpërndarë njoftimin në Facebook është avokati Adriatik Lapaj. Njoftimi është shpërndarë vrullshëm përmes rrjetesh sociale, ku nuk ka humbur kohë as ish-kryeministri Sali Berisha, që ta shfrytëzojë këtë mundësi, për një fenomen që në fakt i prek të gjithë.
“Tirana në shesh në ora 17:00 kundër qeverisë për rritjen e çmendur të çmimit të naftës!”, shkruan Berisha në Facebook duke paralajmëruar edhe një konferencë për shtyp edhe për çështjen në fjalë.
As Presidenti i Ilir Meta nuk ka bërë mënjanë.
“Ukrainasit në luftë e blejnë naftën 1 euro/litër, shqiptarët në paqe me 2.2 euro/litër. Edhe sipas raportit të “Global Petrol Price”, të datës 7 mars 2022, 1 litër naftë në Shqipëri kushton më shtrenjtë se: Në Slloveni 1.75 USD/litër; Në Kroaci 1.65 USD/litër; Në Rumani 1.6 USD/litër; Në Serbi 1.57 USD/litër dhe në Bullgari 1.55 USD/litër
Rritja abuzive dhe e shfrenuar e çmimit të karburanteve duhet të ndalet menjëherë!
Babëzia me justifikim luftën është e papranueshme!”, shkruan Meta.
Nuk kanë munguar kësaj here edhe zërat kritike së fundmi ndaj Lulzim Bashës për t’ju bashkuar kauzave të tilla. Një ndër ta Ervin Salianji nënkryetar i grupit parlamentar i PD-së.
“Çmimi i karburantit në stratosferë, çmimi rritet sipas qejfit të një tregu që në rastin më të mirë është oligopol. Çmimet rriten sapo dëgjohet që do rriten në bursë ndërkohë kur çmimet në tregjet ndërkombëtare ulen nuk ka reflektim.
Qeveria është përgjegjëse për thuajse 120 lek për litër taksa/tarifa/koncensione po aq sa për krijim të tregut thuajse monopol!
Edi Rama si gjithmonë nuk është kurrë në anën e shqiptarëve! Mbështes çdo formë reagimi qytetar përballë zhvatjes që po i bëhet financave të tyre”, shkruan Salianji. Ndërkohë nga PD-ja zyrtare deri mesditën e të mërkurës nuk ka asnjë njoftim apo deklaratë nese i bashkohen apo jo protestes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.