Gazeta Si – Çmimi i naftës ka shkuar në nivele rekord në Shqipëri, duke iu afruar më shumë se kurrë 200 lekëshit për litër. Por, Qeveria thotë se rritja e çmimit është e përkohshme dhe nuk lidhet me taksat, por me tregjet globale.
“Rritja e çmimit të naftës është subjekt rritjesh prej muajsh në të gjithë Europën. Edhe tregu shqiptar ndikohet nga rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare”, deklaroi ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Sipas ministres, çmimet do të rikthehen në normalitet pas muajit qershor.
“Pritet që çmimet të reduktohen pas qershorit. Kjo vlerësohet se do të jetë rritje çmimesh kalimtare dhe nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje në politikë”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj tha se dikasteri që ajo drejton është në monitorim të tregut, por nuk mund të ndërhyjë në çmime. Ajo përjashtoi edhe ndërhyrjen te taksat.
“Ne operojmë në ekonominë e tregut të lirë dhe nuk mund të ndërhyjmë në çmime. Politikat e taksave nuk mund të rishikohen nga luhatje të tilla të tregut. Për momentin nuk ka asnjë rishikim për taksat e naftës”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




