Shqipëria është i vetmi vend në rajon, ndryshe nga Maqedonia dhe të tjera vende fqinje që në raste të situatave të jashtëzakonshme nuk ka rezerva ushqimore.
Kështu u shpreh një nga importuesit e grurit, Adi Haxhiymeri i cili theksoi se rasti i konfliktit në Ukrainë tregoi se kompanitë janë të varura nga importi, duke u detyruar të gjejnë burime të tjera furnizimi me çmime ekstremisht të larta.
Sipas Haxhiymerit, çmimet e grurit vijojnë rritjen por efekti i krizës do të ndjehet pas një muaji kur në treg të hidhet sasia e blerë me çmimet e reja të grurit.
Haxhiymeri tha se rritja e lehtë e çmimit të miellit e produkteve të tij nuk kanë lidhje me situatën aktuale pasi kompanitë e prodhimit të bukës kanë rezervat e miellit nga blerjet e disa muajve më parë.
“Por nuk mund të them se pas një muaji çmimet do të jenë të njëjta. Ato do të reflektojnë situatën dhe do të rriten. Por përveç çmimit të lartë të grurit, ne po përballemi dhe me rritje të tjera si ai I karburantit dhe energjisë çka do të reflektojë detyrimisht në rritjen e çmimeve të produkteve bazë”, tha një prej importuesve më të mëdhenj të grurit në vend, Adi Haxhiymeri.
Sipas tij, ka ardhur koha që qeveria shqiptare të ndryshojë politikbërjen për bujqësinë duke rritur buxhetin për mbështetjen e fermerëve me qëllim sigurimin e një sasie të konsiderueshme të grurit për nevojat e popullatës.
Sipas tij, kjo do të kërkonte më shumë subvencione, por do të ishte një përgjigje e shpejtë në situata të tilla.
Haxhiymeri tha se kompanitë e mëdha mund të vënë në dispozicion të shtetit, magazinat e tyre për grumbullimin e grurit me qëllim që Shqipëria si çdo vend tjetër në rajon të ketë rezervat e tij, në rastet ekstreme siç është mbyllja e kufijve të vendeve nga ku importohet gruri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.