Erion Braçe akuzon sërish tregtarët dhe zinxhirin e furnizimit nga bujku te konsumatori për abuzime me çmimet. Ai thotë se çmimet e rritura të produkteve bujqësore sot nuk shkojnë në xhepin e bujkut.
“Çmimet e ushqimeve janë rritur, por kush mendon se të ardhurat nga çmimet e rritura po i merr bujku, fshatari, gabon! Po i merr tregtari. Bujku po merr aq sa ka marrë gjithë jetën, në mos më pak”, thotë ai.
Si shembull, deputeti socialist sjell çmimin e domates.
“Kush blen domate sot me çmim 150 lek, duhet të dijë se domatja më e mirë sot, tani në Lushnje e Divjakë kushton 50 lek për kilogram! Kaq. Këtë e merr bujku dhe po fitoi 5 deri në 7 lek është i lumtur”, thotë ai.
Ish-zv.Kryeministri akuzon se diferenca prej 100 lekësh është grabitje e pastër dhe abuzim i tregtarëve.
“100 lek nga Divjaka në Tiranë është grabitje. për tregtarët tatimi nuk ka ndryshuar, çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar, çmimi i ujit nuk ka ndryshuar, rroga minimale për punëtorët e ngarkim shkarkimit nuk ka ndryshuar”, thotë ai.
I vetmi shpenzim shtesë, sipas Braçes është rritja e kostos së transportit për shkak të rritjes së çmimit të naftës, por që nuk e justifikon rritjen me 100 lek të kilogramit të domates.
“Ka ndryshuar vetëm çmimi i karburantit, nga 168 ka shkuar në 183 lek për litër. pra, është shtuar 700 deri në 1000 lek shpenzim për rrugë. A e justifikon ky shpenzim shtesë 100 lek për kilogram domate? Kurrë!”, thotë ai.
Braçe kërkon nga qeveria që të ndërhyjë jo për të caktuar çmimet, por për të ndalur abuzimet në tregje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.