Kosova

Rritja e çmimeve, Kurti s’mban përgjegjësi: Fushatë kundër Qeverisë, por do t’i ndihmojmë qytetarët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka pranuar të marrë përgjegjësinë për rritjen e çmimeve të konsumit në vend.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka analizuar rritjen e çmimeve, ku ka dhënë edhe arsyet pse po ndodh kjo, ndërsa ka kritikuar ata që po fajësojnë Qeverinë në lidhje me këtë situatë.
Kurti ka thënë se Kosova, si e gjithë bota, po përballet me inflacionin, ndërsa ka përmendur katër faktorët që kanë ndikuar në këtë.
“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vjen si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi, i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4,9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”, shkruan Kurti.
Ai ka kritikuar ata që po e fajësojnë Qeverinë në lidhje me situatën e rritjes së çmimeve, që sipas tij ka për qëllim të nxisë nervozë e panik te qytetarët.
Kurti ka thënë se Qeveria po punon për masa që do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, ndërsa ka kërkuar qetësi e durim.
“Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate, e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngrihet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos ose jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët. Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyra nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtejshme të çmimeve”, argumenton Kurti.
“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pa bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”, u shpreh ai.
Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, Kurti kërkoi edhe tani teksa tha se “po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve”.
Sipas tij, ata që fajësojnë Qeverinë nuk e kanë fare hallin e qytetarëve, pasi këtë e kanë treguar me veprimet e para disa viteve, duke përmendur keqpërdorimet e subvencioneve në bujqësi dhe privatizimin e fabrikave.
“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vjet, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve, por xhepave të miqve të tyre.
Janë po të njëjtët që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar! Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike, kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie. Andaj, injoroni të tillët. Qeveria është në anën e qytetarëve”, përfundon kryeministri Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë