Me rastin e Ditës së Pestë Botërore kushtuar të varfërve, me temë “Të varfrit i keni gjithmonë me ju”, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, shprehin shqetësimin e tyre, nisur nga ndikimet shumë negative të krizës ekonomike botërore, e cila ndërthuret edhe me veçantitë e situatës kritike që ka përfshirë vendin prej kohësh.
Ata i bёjnё ftesë politikës shqiptare për të marrë masa konkrete e për t’i kthyer sytë drejt më të varfërve.
Në deklaratën e Ipeshkvijve Katolikë të Shqipërisë thuhet se radhët që shtohen e bëhen më të gjata në qendrat për të varfrit, kërkesa e vazhdueshme, sidomos e familjeve të reja dhe e të rinjve, për emigrim, janë shenjë e prekshme e përkeqësimit të ekonomisë dhe mundësive për nevojtarët, duke treguar rritjen e numrit të tyre.
Prandaj, ky mesazh deklarojnë ata është një thirrje e fortë për ata të cilëve populli iu ka besuar administrimin e të mirës së përbashkët, për politikën, për qeverinë, që të mos e humbasin mundësinë për ta bërë të mirën, sepse “Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim”.
“Ky mesazh i drejtohet Qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, Institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, Bashkive të vendit, që të mbështesin dinjitetin e të varfërve dhe nevojtarëve”, deklarojnë Ipeshkvijtë e Kishës Katolike Shqiptare.
Ndër të tjera, në deklaratën e tyre thuhet se duhet t’u kundërvihemi të gjithë së bashku kulturës së indiferencës, padrejtësisë dhe përjashtimit, pasi Viktimat e para të kësaj kulture janë pikërisht të varfrit, nevojtarët e të mënjanuarit.
“Me bindjen se do të dëgjohet zëri i të varfërve, sikurse na fton edhe Papa Françesku, ne Ipeshkvijtë përtërijmë angazhimin tonë për të qenë pranë nevojtarëve, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë dhe të institucioneve tona të bamirësisë, në këtë sfidë kundër varfërisë, brenda mundësive tona, por me gjithë vetveten tonë”, përfundon deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




