Ka ndodhur

Dita e 3-të e protestave, bllokohet bulevardi e rrugët kryesore të Tiranës, përplasje me policinë te Zogu i Zi. Tubime edhe nëpër rrethe

Qytetarët u mblodhën për të tretën ditë me radhë para Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, edhe pse çmimi i naftës ra në 223 lek këtë të premte dhe gjatë paradites në një takim me tregtarët e karburanteve, Edi Rama paralajmëroi ndërhyrjen e Qeverisë dhe fiksimin e çmimeve e marzhit të fitimit.

Protestuesit kërkuan uljen e çmimeve të ushqimeve, naftës duke hequr dhe ulur taksat shtetërore të vendosura në to.

Pas 2 orësh protestë paqësore para Kryeministrisë, një pjesë e protestuesve u zhvendosën në drejtim të qendrës dhe më pas morën rrugën e Durrësit. Ata u pritën në rrethrrotullimin e Zogut të Zi nga një kordon i përforcuar i policisë, përfshirë FNSH dhe Shqiponjat.

Protestues u grumbulluan dhe bllokuan rrugët edhe në rrethe, në Durrës, Lushnje, Shkodër, Lezhë e Kukës, ndërsa gjatë ditës pati dy protesta, një në Korçë dhe një në Tiranë, ku studentë të Universitetit Bujqësor marshuan në këmbë nga Kamza në qendër të Tiranës.

Dy protestat e studentëve në Tiranë e Korçë u shoqëruan me incidente, ndërkohë që në Korçë i pranishëm ishte edhe deputeti Edmond Spaho, pjesë e grupimit të Berishës.

Studentët në Tiranë dhe Korçë protestojnë për çmimet, bashkohen edhe qytetarët. Fermerët në Myzeqe bllokojnë rrugën

Vala e protestave qytetare kundër rritjes së çmimit të ushqimeve ka vijuar këtë mëngjes me tubimet e studentëve në Tiranë dhe në Korçë, ku këtyre të fundit iu janë bashkuar edhe qytetarët.

Ndërkohë që në Myzeqe, fermerët e disa zonave në Lushnjë janë përplasur me policinë, pasi kanë tentuar të bllokojnë rrugën në shenjë revolte për situatën e fundit.

Kështu, studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, kanë bojkotuar mësimin dhe janë ngritur në protestë, duke bllokuar fillimisht rrugën në zonën e ashtuquajtur të Institutit.  

Dia dhjetëra prej tyre janë nisur nga UBT drejt sheshit “Skënderbej”. Forcat Shqiponja me motor po mundohen të mbajnë të hapur një korsi të rrugës, ndërsa shoqërojnë studentët protestues. Për disa minuta është bllokuar edhe qarkullimi i automjeteve në kthesën e Kamzës.

Më herët, studentët e Universitetit “Fan Noli” në Korçë bojkotuan mësimin dolën në protestë, ku kanë marshuar në rrugët e qytetit.

Ata protestuan për rritjen e çmimit të ushqimeve dhe karburanteve, që sipas tyre ka prekur në rritjen e çmimit të transportit.

Policia vendosi kordon për të mos lejuar bllokimin e bulevardit “Republika” por studentët e çanë kordonin dhe vijuan.

Disa herë policia tentoi të bllokonte studentët, të cilët, të vendosur vijuan marshimin, duke tubuar në pedonalen para bashkisë.

Protestës i janë bashkuar edhe qytetarët korçarë të pozicionuar në rrethrrotullimin e hyrjes së Korçës, një nga arteriet kryesore pasi bllokon qarkullimin për të hyrë në qytet apo për të shkuar në drejtim të Kapshticës dhe Tiranës.

Ata janë organizuar edhe nga PD, por dhe me njëri tjetrin nëpërmjet rrjeteve sociale. Sapo ka mbërritur deputeti Edmond Spaho qytetarët anë avancuar dhe kanë tentuar që të bllokojnë rrugën. Policia ka prej disa minutash që t’i shtyjë nga rruga dhe kërkon që ta zhvillojnë protestën në trotuar.

Ndërkohë, studentët e Universitetit të Tiranës, kanë paralajmëruar se do të ngrihen në protestë në orën 16:30 këtë të premte.

Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, kërkohet që të gjithë studentët të nisen nga universiteti i tyre dhe të marshojnë para kryeministrisë.

“Sot, ora 16:30 para Fakultetit Ekonomik bëhet nisja drejt protestës para kryeministrisë. Studentët e FHF, FGHH, FEUT, mblidhemi e nisemi së bashku”, thuhet në njoftim.

Edhe fermerët e Myzeqesë kanë protestuar këtë të premte te vendi që njihet si “Pushimi i shoferit” në aksin nacional Lushnjë-Rrogozhinë kundër rritjes së çmimeve në vend. Në shenjë revolte, ata kanë bllokuar rrugën dhe madje janë përplasur me punonjësit e policisë.

Mësohet se në protestë kanë shkuar banorë të ish-komunave Krutje, Këmishtaj, Remas, Bubullimë, Kolonjë të qytetit të Lushnjës.

Qëllimi i tubimit është sensibilizimi i qeverisë për ndryshimet drastike të çmimeve që kanë lidhje dhe prekin drejtpërdrejt bujqësinë.

Ata kërkojnë që qeveria të rishikojë skemën e rimbursimit pasi thonë se në këtë situatë janë të falimentuar.

Rreth mesditës protestuan para kryeministrisë në Tiranë edhe taksistët, të cilët kërkuan heqjen e akcizës për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Ndërkohë, në protestat e zhvilluara të enjten në të gjithë vendin, të enjten 10 mars, janë arrestuar 30 persona, janë në hetim 118 qytetarë dhe janë shpallur në kërkim 15 të tjerë. Ata akuzohen se kanë bllokuar rrugën dhe duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë