Banka e Shqipërisë ka raportuar se balanca e të ardhurave dhe shpenzimeve të konsumatorit ra me 1.7% gjatë tre muajve të parë të vitit 2021. Në të njëjtën kohë treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit lehtshëm me 1.1% gjatë tremujorit të parë të 2021-shit në krahasim me tremujorin e fundit të 2020-ës, por vazhdon të mbetet shumë poshtë mesatares së vendosur. Rritja e TBK-së erdhi nga përmirësimi i tre prej balancave përbërëse të saj: blerjet e mëdha, me 3.9%, situata financiare e pritur e familjes, me 1.3% dhe situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend, me 0.8%.
Sipas BSH-së, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) vazhdoi të përmirësohet gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 duke shënuar vlerën 91.8%, 10.3% më lart se tremujorin e fundit të vitit 2020. Përsëri, niveli i TNE-së mbetet nën mesataren e vendosur e cila është 100. Sipas të dhënave të Bankës, rritja e treguesit të ndjesisë ekonomike lidhet me rritjen e treguesit të besimit në sektorët e biznesit.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, u rrit me 9.5% në krahasim me tremujorin paraardhës, duke kaluar përherë të parë mbi mesataren e vendosur. Ndërkohë, gjendja e inventarëve vazhdon të jetë rënëse, që është pozitive për treguesit dhe balanca e prodhimit u rrit me 20.3%.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) si një ndër sektorët që sjellë më shumë të ardhura u rrit me 8.0% gjatë tremujorit të parë 2021, në krahasim me tremujorin paraardhës, por, mbeti përsëri nën mesataren e vendosur. Balanca e aktivitetit ndërtues u rrit me 15.2%.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) përgjatë tre muajve të parë të këtij viti, shënoi rritje me 9.5% në krahasim me tre muajt e fundit të vitit të kaluar dhe kaloi mesataren. Balanca e ecurisë së biznesit u rrit me 13.1%. Balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm rezultoi me rënie.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 5.4% gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, krahasuar me tre muajt e fundit të vitit të shkuar, duke kaluar mesataren e vendosur. Ky nivel vjen si pasojë e rritjes së balancës së ecurisë së biznesit, me 8.6%.
Balanca është treguesi që përdoret më shpesh për mbledhjen e të dhënave cilësore nga vrojtimet. Ajo llogaritet si diferencë midis përqindjes së përgjigjeve pozitive dhe përqindjes së përgjigjeve negative. Balanca shprehet në përqindje.
Treguesi i Besimit (TB) ndërtohet për çdo sektor dhe llogaritet si mesatare e thjeshtë e balancave të rregulluara sezonalisht të treguesve të cilët kanë korrelacionin më të lartë me serinë e referencës (serinë e të dhënave reale të ekonomisë).
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ndërtohet duke u bazuar në të njëjtat balanca që përdoren për ndërtimin e TB-ve për secilin sektor (industri, ndërtim, shërbime, tregti dhe konsumatorë), duke synuar të kapë aktivitetin e ekonomisë në vend. Para mbledhjes së TNE-së, këto balanca standardizohen dhe peshohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.