Futboll

Rritet tensioni te PSG, Kilian Mbape del hapur kundër klubit

Gazeta Si – Sulmuesi nuk ka pritur mirë një video të klubit në lidhje me fushatën e abonimeve për sezonin 2023/24, ku ai shfaqet si protagonist absolut. “Nuk jemi Kilian Saint Germain”, – shkruan lojtari dhe klubi tërheq videon.

Nuk ka paqe në shtëpinë e PSG-së. Pas vërshëllimave ndaj Lionel Mesit, që duket se do të largohet me përfundimin e kontratës, është Kilian Mbape që ka përfunfuar në qendër të diskutimeve. Ai ka kundërshtuar një video të publikuar nga klubi për abonimet e sezonit të ardhshëm. Mbape ka mbajtur qëndrim menjëherë në profilin e tij në Instagram, duke bërë që klubi ta hiqte videon.

Mbape dhe postimi i tij kunder klubit. Gazeta Si, 6 prill 2023

Në videon që zgjat pak më shumë se një minutë, Mbape shfaqet duke folur në stadium për rëndësinë që ka mbështetja e publikut. Në asnjë moment nuk shfaqen as Mesi dhe as Nejmar, ndërkohë që shfaqen vetëm në pak sekonda Donaruma, Nuno Mendes dhe Zaire-Emeri.

Kjo zgjedhje nuk i ka pëlqyer sulmuesit. “Sapo kam parë videon e fushatës së abonimeve të klubit, – shkruan Mbape. – Në asnjë moment nuk jam informuar për përmbajtjen e intervistës. Dukej një bisedë e zakonshme në një ditë marketing të klubit. Nuk jam dakord me këtë video, prandaj luftoj për të drejtat e imazhit individuale. PSG është klub i madh, një familje e madhe, por nuk është Kilian Saint-Germain”.

Kjo situatë rrezikon t’i komplikojë më shumë raportet mes klubit dhe yllit të skuadrës, pas telenovelës së vitit të kaluar për rinovimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë