Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 8,908.2 milionë eurosh në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, në rritje me rreth 6.8% në terma vjetorë.
Të dhënat më të fundit të BSH-së tregojnë se raporti është rreth 3.8 pikë përqindje më i lartë krahasuar me një vit më parë. Zgjerimi i stokut të borxhit është evidentuar kryesisht në tremujorin e dytë të vitit 2020, si rrjedhojë e emetimit të Eurobondit nga njëra anë, dhe rënies së PBB-së në terma vjetorë nga ana tjetër, si pasojë e impaktit nga pandemia COVID-19.
Rritja e raportit është ndikuar nga stoku i Qeverisë, e lidhur kjo me Euronbodin. − Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 82.0% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 18.0%.
Borxhi i jashtëm neto në raport me PBB-në është 14.7%, me një pakësim 2.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Raporti i BSH-së thotë se Treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm janë përkeqësuar, kryesisht gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020 (në reflektim të goditjes së ardhur nga pandemia), pasi kishin ndjekur një trend përmirësues për disa vite. Kjo lidhet si me rritjen e stokut të borxhit, ashtu edhe me rënien e komponentëve të tillë si eksportet dhe të ardhurat fiskale.
Raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve është në nivelin 191.1%, me një rritje të shpejtë ndaj nivelit të vlerësuar në tremujorin e mëparshëm (153.7%). Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u rrit në 249.5%, nga 220.2% në tremujorin e parë të vitit. Raporti i stokut të qeverisë ndaj të ardhurave fiskale u ngjit në 124.8%, nga 101.1% në tremujorin e parë të vitit.
Përkeqësim sipas BSH-së është verifikuar edhe për treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit, për raportet që lidhen me eksportet. Nga ana tjetër, stoku i rezervës valutore mbulon 257.8% të borxhit të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2020, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.
Borxhi i jashtëm sipas sektorëve
Stoku i borxhit të sektorit publik (pa përfshirjen e borxhit publik të garantuar që përfshihet në sektorët e tjerë) u zgjerua me 17.4% në bazë vjetore, me një kontribut prej 7.9 pikësh përqindje në rritjen vjetore të borxhit të jashtëm bruto. Zgjerimi i borxhit të jashtëm bruto vijoi të udhëhiqet nga qeveria e lidhur ngushtësisht me emetimin e Eurobondit.
Sektori privat gjeneroi një kontribut negativ prej 1.1 pikë përqindjeje në rritjen vjetore të borxhit të jashtëm. Kontributet kryesore kanë ardhur nga zvogëlimi i stokut të “IHD-huave ndërkompani”, pasuar nga “korporatat depozitëmarrëse”.
Në një ndarje më të detajuar sipas sektorëve, historikisht stoku i borxhit të jashtëm të qeverisë ka zënë peshën më të madhe ndaj totalit (rreth 50.0%) dhe me rritje krahasuar me periudhat e mëparshme. Pjesa tjetër e stokut të borxhit është shpërndarë midis: korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) 15.8%, sektorëve të tjerë të ekonomisë 15.3%, IHD-ve (huatë ndërkompani) 18.3% dhe autoritetit monetar 0.01%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



