Shendet

Rritet rezistenca ndaj antibiotikëve tek shqiptarët, përdorim i tepruar nga dentistët

Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve, edhe në stomatologji, po kontribuon në rritjen e rezistencës antimikrobike, ndërsa bakteret më problematike mbeten E. coli, Staphylococcus aureus dhe Klebsiella pneumoniae.

Nga Gazeta Si- Rezistenca antimikrobike (AMR) po shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga sfidat më serioze për shëndetin publik, si në Shqipëri ashtu edhe në botë. Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve tek disa baktere që shkaktojnë infeksione të zakonshme, duke e bërë trajtimin më të vështirë dhe duke rritur rrezikun për komplikacione.

Mjeku epidemiolog Leidon Shapo dhe mjekja mikrobiologe Blerta Brati, në një artikull të botuar në revistën shkencore JIDC (Revista e Infeksioneve në Vendet në Zhvillim), theksojnë se në Shqipëri shqetësimi është veçanërisht i dukshëm tek infeksionet e traktit urinar (ITU). Studimet tregojnë se bakteret përgjegjëse për këto infeksione po shfaqin nivele të larta rezistence ndaj disa antibiotikëve të përdorur shpesh, si tetraciklina, piperacilina apo trimetoprimi.

Sipas tyre, një studim i kryer së fundmi tek dentistët shqiptarë ka treguar se antibiotikët shpesh përshkruhen duke tejkaluar udhëzimet klinike, çka nxjerr në pah mangësi në menaxhimin e përdorimit të tyre. Kjo praktikë kontribuon drejtpërdrejt në përhapjen e rezistencës.

“Këto gjetje nënvizojnë nevojën urgjente për ndërgjegjësim të shtuar për rezistencën antimikrobike (AMR) dhe respektim më të rreptë të protokolleve të përshkrimit, veçanërisht brenda praktikës dentare”, theksojnë dy mjekët shqiptarë.

Problemi nuk kufizohet vetëm në mjekësinë njerëzore. Studime të kryera në fermat e shpendëve në Shqipëri kanë identifikuar nivele të larta rezistence në bakteret E. coli dhe Salmonella, duke treguar se rezistenca antimikrobike mund të përhapet edhe përmes zinxhirit ushqimor.

Edhe pse në vend është hartuar një Plan Kombëtar Veprimi për AMR-në, zbatimi dhe efektiviteti i tij kërkojnë ende vlerësim. Ndërkohë, kërkimet mbi modelet e rezistencës- veçanërisht për infeksionet urinare- mbeten të kufizuara.

Sipas mjekëve, bakteret më rezistente të raportuara janë Escherichia coli me 38 për qind, Staphylococcus aureus me 29 për qind, Klebsiella pneumoniae me 13 për qind dhe Pseudomonas me 11 për qind.

“Shkaktarët kryesorë të AMR-së përfshijnë përdorimin e tepërt dhe keqpërdorimin e antimikrobikëve, përfshirë recetat e panevojshme dhe trajtimet e paplota, higjienën dhe kontrollin e pamjaftueshëm të infeksioneve në mjediset shëndetësore, si dhe lëvizjen globale të njerëzve dhe mallrave që lehtëson përhapjen e organizmave rezistentë. Po ashtu, zhvillimi i ngadaltë i agjentëve të rinj antimikrobikë e përkeqëson situatën”, thuhet në artikull.

Mjekët theksojnë se për të frenuar këtë fenomen është e domosdoshme forcimi i programeve për përdorimin racional të antibiotikëve, respektimi më i rreptë i udhëzimeve për përshkrimin e tyre dhe rritja e ndërgjegjësimit në publik.

Fenomeni i njohur si rezistencë antimikrobike ndodh kur mikroorganizmat- bakteret, viruset, kërpudhat apo parazitët- zhvillojnë aftësinë për t’i rezistuar barnave që më parë i eliminonin. Si pasojë, infeksionet zgjasin më shumë, trajtimet bëhen më të ndërlikuara dhe kostot për sistemin shëndetësor rriten.

Pa ndërhyrje efektive, AMR konsiderohet një nga kërcënimet më të mëdha globale për shëndetin publik, me potencialin për të shkaktuar miliona vdekje çdo vit. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se forcimi i mbikëqyrjes, respektimi i protokolleve të përshkrimit dhe zgjerimi i kërkimit shkencor mbeten hapa thelbësorë për të frenuar një fenomen që po rrezikon gjithnjë e më shumë efektivitetin e trajtimeve kundër infeksioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë