Para

Rritet oferta e parasë, 400 mld lekë qarkullojnë jashtë bankave

Nga Gazeta 'SI' - Më shumë se 400 mld lekë qarkullojnë jashtë sistemit bankar, raporton Banka e Shqipërisë.

Shifrat që i referohen muajit tetor tregojnë se nga shtatori, ka pasur një rritje të lehtë të parasë në qarkullim, rreth 2 mld lekë. Nga tetori i vitit 2023, ky tregues është rritur me rreth 11 mld lekë.

Rritja e parasë jashtë bankave mund të lidhet dhe me tentativën e qeverisë për të kryer shpenzimet kapitale duke rritur kështu ofertën monetare.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në tetor 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 9 mld lekë nga shtatori dhe raportohet 796mld lekë.

Me rritje raportohet edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshme Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin tetor, paraja e gjerë arriti vlerën më të lartë në 1.737 trilionë lekë, nga 1.733 trilionë lekë që ishte në muajin shtator.

Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 14 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1 trilion lekëve, nga 991.6 miliardë lekë, që ishte në shtator.

Gjatë një seance në komisionin e “Antikorrupsionit”, Denis Deralla, drejtor i departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë tha thënë se në Shqipëri nuk është nevojë të pastrosh para, pasi mund të blesh çdo gjë me para cash, pa kaluar në bankë.

"Në Shqipëri nuk është e nevojshme fare të pastrosh para. Mund të blesh nga apartamenti tek makina dhe investime të çfarëdollojshme në cash. Nuk ke nevojë fare të deklarosh burimin e të ardhurave. Tre struktura janë në Shqipëri që kërkojnë burim të ardhurash, ILDKPI për zyrtarët, bankat që e kanë forcuar kërkesën e tyre për burimin e të ardhurave, si dhe SPAK e Prokurori. Struktura të tjera nuk ka. Nëse i shpëton këtyre tre rrjetave lundron i qetë. Është sasia e cash-it dhe lejimi i transaksioneve cash që bëjnë të mundur qarkullimin e parasë së pisët. Ajo që duhet të kemi parasysh është format për parandalimin e parave cash. S’duhet të bëjmë gabimin për të ngatërruar formën e këmbimit me pastrimin e parasë. Lehtëson transferimin e parasë, por paraja mbetet e pisët ", u shpreh Deralla duke theksuar Shqipëria është një ndër pak vendet që e ka rregulluar me ligj tregun e kriptomonedhave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë