Treg

Rritet nafta në Kosovë, por prapë më e lirë se në Shqipëri

Gazeta Si – Çmimi i derivateve të naftës ka shënuar rritje në të gjithë botën dhe kjo po vihet re edhe në Kosovë por megjithatë çmimet janë më lirë se në Shqipëri.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili në një intervistë thotë se çmimi i derivateve të naftës tashmë ka arritur në 1.30 euro. Por sipas tij, edhe pse ka ngritje çmimi Kosova vazhdon të ketë çmimet më të ulëta në vendet e rajonit.

“Sa i përket rritjes së çmimit të naftës dihet se çmimin e cakton BERZh dhe organizata prodhuese OPEK. Çmimet në Kosovë variojnë një litër dizel 1.23 deri në 1.30. Benzina 1.25 deri në 1.32 cent. Në tregjet ndërkombëtare çmimet janë duke u rritur në mënyrë ekstreme dhe kjo po reflekton edhe tek ne në Kosovë. Nuk ka vështirësi gjatë importit, sepse importi është në nivel. I vetmi problem është çmimi i lartë i naftës sepse rëndon qytetarët por këtu nuk e përcaktojmë ne çmimin por është në pyetje vetëm BERZh”, thotë Berjani.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, Gazeta “Si”, 6 shkurt 2022

“Pritet që Ligji i naftës të kalojë edhe në leximin e dytë. Por sado kudo Ligji i naftës është i mirëseardhur. Me ligjin përfiton biznesi, qytetari por edhe shteti. Edhe vitin e kaluar kemi pasur ankesa nga qytetarë. Cilësinë më së miri mund ta ruajë dhe kur ka ankesa do të ndërhyjë Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë. Derivatet janë në nivelin e duhur. Ndërsa sa i përket çmimeve në raion në Shqipëri çmimet sillen rreth 1.52 cent për naftën dhe 1.55 pë benzinën. Ne jemi më të lirë sesa Bosnja, Serbia dhe Mali i zi”, tha Berjani.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur disa herë, duke arritur në rreth 198 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që ishte gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me rreth 30%.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014.

Një tjetër arsye lidhet me paketën e fundit fiskale e cila parashikon indeksimin e akcizës me inflacionin, që ka filluar të zbatohet nga tregtuesit. Inflacioni arriti në nivelin më të lartë të dekadës prej 3.7%, ndërsa mesatarja vjetore e 2021 sipas Instat është 2%.

Sipas indeksit global të çmimeve të naftës, Shqipëria është midis 20 vendeve me çmimin më të lartë, duke lënë pas jo vetëm vendet e rajonit, por edhe shumë vende të zhvilluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë