Treg

Rritet kërkesa për obligacionet 7-vjecare. Kuponi në rënie

Obligacionet 7-vjeçare janë shitur me kupton 4.01% gjatë ankandit të fundit nga Ministria e Financave, me një rënie prej 0.24% nga ankandi paraardhës. Shuma e shpallur e obligacioneve ishte 5 miliardë lekë, por kërkesa për to arriti në 7.4 mld lekë.

Me kërkesë të lartë dhe yield-et në rënie, MFE pranoi të kalonte shumën e shpallur me 750 mln lekë duke e çuar vlerën e emetimeve në 5.75 mld lekë. Përgjithësisht, titujt me afat të gjatë maturimi siç janë obligacionet mbi 5 vite japin më shumë siguri tek investitorët se sa ato me afat të shkurtër (bonot).

Rënia e kuponit apo e yield-eve të titujve shtetërorë tregon stabilitet dhe ecuri pozitive të tregut primar të letrave të borxhit të qeverisë.

Në ankandin e fundit bonot me maturim 12-mujor shënuan një yield-mesatar të ponderuar prej 1.77%, po aq sa në ankandin e fundit të muajit gusht. Në javët e fundit kërkesa për blerjen e bonove 12-mujore është rritur sërish. Në ankandin e fundit, shuma totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 11.8 miliardë lekë, nga 8.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim në ankand.

Në të njëjtën ditë,  në ankandin e bonove me maturim 3-mujor yield-i mesatar i ponderuar shënoi një rritje të lehtë në 0.93%, nga 0.87% nga ankandi I fundit. Rritja e lehtë lidhet sidomos me faktin që për instrumentet më afatshkurtra kërkesa e tregut është më e pakët. Bonot me maturim më pak se një vit blihen kryesisht nga bankat, që e shohin më shumë si një mundësi për të vendosur përkohësisht likuiditetet e lira. Gjithashtu, një pjesë e vogël e shumës së shpallur për financim rezervohet nga Banka e Shqipërisë.

Që me nisjen e pandemisë, yield-et kanë qenë në rënie dhe sipas BSH-së kjo ka ndodhur për shkak të likuiditetit në tregun e parasë dhe gjendjes së mirë financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë