Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se Borxhi i jashtëm bruto i vendit është rritur përgjatë vitit 2018.

Në fund të muajit dhjetor të vitit 2018, Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë arriti 8,347 milionë euro, me një rritje vjetore prej 5%. (398 mijë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës).
Sektori i Qeverisë ka peshën më të madhe në stokun e Borxhit të Jashtëm Bruto. Në tremujorin e katërt të 2018-ës detyrimet e Qeverisë u vlerësuan në 3,829 milionë euro të përfaqësuara nga huat afatgjata, obligacionet dhe dëftesat.
Qeveria zotëron rreth 46% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë .

Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sistemit Bankar, Sektorëve të tjerë dhe Autoritetit monetar përkatësisht ; 17%, 36% dhe 1%.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2017-të detyrimet e Qeverisë u vlerësuan 3,529 mln euro.
Huatë e Qeverisë përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 0.4% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Borxhi i jashtëm afatgjatë ka rezultuar 6,456 milionë euro në fund të vitit 2018, me rritje 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Borxhi i jashtëm privat ra me 3.8%.
Monedha e përbashkët europiane është monedha kryesore në marrjen e huave nga ana e Shqipërisë ndaj botës. 66% e totalit janë detyrime në euro dhe 9% në dollarë në tremujorin e 4-ët të 2018-ës.
Borxhi i jashtëm afatgjatë sipas kreditorëve, në fund të vitit 2018 tregon se kreditorët zyrtarë mbajnë pjesën më të madhe (41%) në rritje me 2 pikë përqindjeje gjatë vitit.
Huatë afatgjata të lëvruara nga FMN zënë 0.5% të totalit të detyrimeve. Në fund të dhjetorit 2018, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,427 milionë euro dhe prezantohet kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në rreth 12% dhe 86% të totalit. Gjatë vitit, ky sektor ka rritur nivelin e borxhit me rreth 41 milionë euro kah rritjes së detyrimeve afatshkurtra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




